Lidhje

Një teknikë e re shton shanset për shtatzani - 2002-08-15


Fertilizimi në epruvetë është një teknikë që përdoret vetëm nga njerëzit, që u mbeten pak shanse për t’u bërë prindër. Të paktën 78 mijë procedura të tilla u kryen në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, por vetëm 27 mijë prej tyre qenë të suksesshme dhe çuan në lindje foshnjash. Shifrat nuk janë nga më optimistet. Por një procedurë e re po i ndihmon çiftet të shtojnë shanset për të patur fëmijë.

Diane Rinaldi ishte 36 vjeç kur ajo bashkë me të shoqin vendosën të krijojnë familje. Ajo mbeti shtatzënë. Por pas dhjetë javësh, ajo pësoi një abort. Kjo ndodhi përsëri dhe përsëri: katër shtatzani dhe katër aborte.

”Askush nuk e kuptonte pse ndodhnin abortet. Nuk kishte ndonjë arsye të veçantë. Ata arritën në përfundimin që ishte gjenetike”, thotë zonja Rinaldi.

Më pas Rinaldët dëgjuan për një teknikë të re që mund t’ua shtonte ndjeshëm shanset. Quhet kontrolli i embrionit. ”Është ndoshta mjeti më i mirë dhe i rëndësishëm që kam në dorë, për t’i ndihmuar çiftet që pakësojnë rrezikun e abortit”, thotë doktor David Sable, i Qendrës Mjekësore St.Barnabas në Livingston të shtetit New Jersey.

Çiftet bëjnë në fillim procedurën e fertilizimit në epruvetë, për të krijuar sa më shumë embrione. Pastaj mjeket kontrollojnë çdo embrion për kromozome me të meta, në mënyrë që në mitër të vendosen vetëm embrionet normale. Kjo procedurë sjell tre të mira kryesore:

Më shumë shtatzani duke shmangur embrionet që nuk mund të qëndrojnë në mitër. Më pak abortime. Dhe testi mund të sigurojë lindjen e foshnjave më të shëndetshme, duke identifikuar sindromat Down dhe Turner dhe çrregullime të tjera, para se embrioni të vendoset në mitër.

Për Diane Rinaldin, kontrolli i embrioneve solli një ndryshim të madh. Para pesë muajsh ajo lindi një bebe djalë.

”Pa këtë procedurë, unë vërtet besoj se nuk do të kishim fëmijë”, thotë ajo.

Kjo teknikë e re ka ndihmuar deri tani rreth 2 mijë çifte të realizojnë ëndrrën e tyre, atë të krijimit të një familjeje.

XS
SM
MD
LG