Lidhje

SHBA dhe Opozita Irakiane - 2002-08-16


Qeveria e Shteteve të Bashkuara mendon seriozisht të ndryshojë regjimin në Irak. Sadam Huseini ka kërcënuar dhe pushtuar fqinjët e tij. Ai ka përdorur gazin helmues kundër popullit të tij. Ai është duke grumbulluar armë të shkatërrimit në masë. Siç ka thënë presidenti George Bush, “është detyra jonë ndaj fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, që ta çlirojmë botën nga ato armë të shkatërrimit në masë, që janë në duart e atyre që e urrejnë lirinë.

Presidenti Bush akoma nuk ka vendosur se si mund të realizohet ndryshimi i regjimit në Irak. Por Shtetet e Bashkuara presin të shohin një Irak pa Sadam Huseinin. Zyrtarë amerikanë u takuan në Uashington me përfaqësues të opozitës irakiane. Ndërmjet tyre ishin udhëheqësit e dy partive më të mëdha të kurdëve irakianë, udhëheqës të grupeve shekullare dhe fetare, duke përfshirë Shiitët irakianë, që e kanë selinë në Iran dhe një organizatë në të cilën bëjnë pjesë shumë grupe, të njohur me emrin Kongresi Kombëtar Irakian.

Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e opozitës irakiane gjetën një gjuhë të përbashkët. Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Filip Reeker, Shtetet e Bashkuara dhe opozita irakiane kanë një vizion të përbashkët lidhur me një të ardhme më të mirë për popullin irakian, pas përmbysjes së Sadam Huseinit dhe regjimit të tij.

Një aspekt i kësaj të ardhmeje është një vend i bashkuar. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ka thënë se ne duam të shohim një vend të vetëm dhe jo një Irak të copëtuar. Sharif Ali Bin Al Hussein, zëdhënës i Kongresit Kombëtar Irakian, tha se opozita irakiane është e angazhuar për të ruajtur tërësinë tokësore të Irakut.

Shtetet e Bashkuara dhe opozita irakiane po ashtu ishin të një mendimi se e ardhmja më e mirë për Irakun është një shoqëri demokratike, ku qytetarët kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre për problemet e tyre. Siç vuri në dukje zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Filip Reeker, “Vizioni ynë është për një Irak demokratik, me një qeveri që respekton të drejtat e qytetarëve të saj.”

Populli irakian ka vuajtur për një kohë të gjatë nën një diktaturë të egër. Bota është kërcënuar shumë gjatë nga një agresor i pamëshirshëm. Një Irak shumetnik dhe demokratik do t’u shërbente interesave më të mira të irakianëve dhe të komunitetit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG