Lidhje

Terror në Pakistan - 2002-08-16


Pakicat fetare dhe të huajt në Pakistan po vihen përsëri në shënjestër të sulmeve të dhunshme të ekstremistëve. Më 5 gusht, terroristë të armatosur me armë automatike hapën zjarr ndaj Shkollës së Krishterë Murree në afërsi të Islamabadit. Gjatë sulmit u vranë 6 punonjës pakistanezë të shkollës. Të nesërmen, tre burra, të cilët mendohet se ishin përfshirë në sulmet, kryen një sulm vetëvrasës me granadë, pasi hodhën në erë një pikë kontrolli të policisë.

Më 9 gusht, në një sulm me granadë ndaj një spitali të krishterë në Taksila, në afërsi të Islamabadit, u vranë tre infermiere dhe u plagosën rreth 20 persona të tjerë. Ky ishte sulmi i tretë kundër institucioneve të krishtera në Pakistan që në muajin mars. Pesë persona, midis të cilëve dy shtetas amerikanë, u vranë dhe më tepër se 40 të tjerë u plagosën më 17 mars, gjatë një sulmi me granadë në Kishën Protestante Ndërkombëtare të Islamabadit.

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell i shprehu presidentit pakistanez Pervez Musharaf, keqardhjen e thellë të Amerikës për viktimat dhe familjet e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani po bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit. Pakistani e lejon ushtrinë amerikane të përdorë bazat pakistaneze. Autoritetet amerikane dhe ato pakistaneze po bashkëpunojnë ngushtë për identifikimin dhe ndalimin e anëtarëve të dyshuar të grupit terrorist të Al-Kaidës dhe talebanëve që hyjnë atje nëpërmjet Afganistanit.

Qeveria e Pakistanit ka bllokuar mbi 300 mijë dollarë nga pasuritë e terroristëve. Tre persona të akuzuar si terroristë, ndaj të cilëve është ngritur padi për sulmin vetëvrasës me bombë të muajit qershor në konsullatën amerikane në Karaçi, janë caktuar të dalin këtë javë para gjykatës. 12 pakistanezë u vranë gjatë këtij sulmi. Urdhëra arresti janë dhënë edhe për 6 persona të tjerë të dyshuar.

Objektivi i vërtetë i atyre që hodhën granada ndaj ndërtesave të pakicave fetare nuk ishin vetëm pakicat fetare të Pakistanit. Autorët e sulmeve terroriste përpiqen të shaktërrojnë të ardhmen e Pakistanit si një shoqëri që vlerëson tolerancën dhe të drejtat e njeriut për individët, përfshi të drejtën për të ushtruar lirshëm besimin fetar. Ashtu sikurse Pakistani qëndroi përkrah popullit amerikan pas sulmeve të 11 shtatorit, po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Pakistanit në ballafaqimin me një armik të përbashkët, terrorizmin dhe mungesën e tolerancës që ai ushqen.

XS
SM
MD
LG