Lidhje

Interneti dhe Pornografija me Fëmijët - 2002-08-18


Bashkëpunimi ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe evropianë të anti-krimit ka çuar në asgjësimin e një rrjeti të ponografisë me fëmijë në internet. Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara, Danimarkë, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Itali, Suedi, Francë dhe Britani kanë arrestuar 20 persona nën akuzën se kanë abuzuar seksualisht me vetë fëmijët e tyre dhe se kanë tregtuar përmes internetit fotografi të këtyre akteve të neveritshme. 45 nga këta fëmijë të viktimizuar janë larguar nga kujdestaria e prindërve të tyre abuzues. Komisioneri i doganave amerikane, Robert Bonner, njoftoi për arrestimin e 10 amerikanëve që besohet se janë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të pornografisë me fëmijë.

Që nga nëntori i vitit të kaluar Qendra e Kontrabandës në Internet e Shërbimit të Doganave Amerikane ka punuar bashkë me Policinë Kombëtare Daneze në hetimin e fotografive në internet që paraqisnin një burrë tek abuzonte seksualisht një të mitur. Autoritetet daneze mësuan se fëmija në foto ishte vajza 9-vjeçare e burrit që po abuzonte me të. Abuzuesi dhe bashkëshortja e tij janë nën arrest në Danimarkë. Ata akuzohen se kanë dërguar nëpërmjet internetit imazhe tek individë në Shtetet e Bashkuara dhe në nëntë vende evropiane.

Duke bashkëpunuar ngushtë me interpolin dhe me agjencitë shtetërore dhe vendore anti-krim, Qendra e Kontrabandës në Internet e Shërbimit të Doganave Amerikane identifikoi amerikanë që dyshohet se i përkasin rrjetit të shpërndarjes së pornografisë me fëmijë. Njëri prej të dyshuarve që është përfshirë në hetime, u arrestua në Texas në muajin mars për zotërim dhe marrje materialesh pornografike me fëmijë. Më 10 korrik ai u dënua me 10 vjet burg.

15 vetë, përfshirë 6 me nënshtetësi joamerikane, janë akuzuar për konspiracion në Shtetet e Bashkuara. Më shumë arrestime priten në kuadër të këtyre hetimeve. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol udhëheqës në botë në zbatimin e ligjeve që synojnë mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual dhe abuzimi i pedofilëve. Shpërndarja e pornografisë me fëmijë dhe lloje të tjera të shfrytëzimit seksual të fëmijëve janë krime serioze në Shtetet e Bashkuara. Fajtorët dënohen me afate të gjata burgimi.

Zoti Bonner, komisioner i doganave, përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që abuzojnë seksualisht dhe shfrytëzojnë fëmijët. Nuk ka asnjë detyrë tjetër, tha ai, që oficerët anti-krim ta marrin më seriozisht se sa mbrojtjen e fëmijëve nga keqbërësit.

XS
SM
MD
LG