Lidhje

E vërteta mbi Fidel Castron - 2002-08-19


Diktatori kuban Fidel Kastro mburret shpesh se 40 e ca vjetët e sundimit të tij komunist kanë qenë një sukses i madh për popullin kuban. Kuba, ka deklaruar ai në një rast, është ”vendi më i lirë në botë”. Duket qartë se ky është një pohim i gënjeshtërt. Kastroja ka mbajtur më këmbë një sistem të dështuar marksist-leninist që u privon njerëzve një jetë normale dhe liritë të cilat quhen të natyrshme në pjesën më të madhe të hemisferës perëndimore. Qeveria e tij përndjek disidentët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Qindra të burgosur politikë vazhdojnë të dergjen në burgjet kubane. Gazetarët e pavarur nuk lihen të qetë.

Kjo bëhet mëse e qartë kur e shikon udhëheqjen e vërtetë kubane nga syri i një zyrtari të rëndësishëm, i cili nuk është më nën kontrollin e Kastros. Alcibiades Hidalgo, ka qenë ambasador i Kubës në Kombet e Bashkuara dhe ish shef shtabi nën ministrin e mbrojtjes Raul Kastro, vëllai i Fidelit dhe trashëgimtar i tij i mundshëm.

Kohët e fundit ai u arratis në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se papunësia, mungesat e mëdha ushqimore dhe problemet e rënda ekonomike në Kubë mund të rezultojnë në një kryengritje kundër Kastros dhe sistemit të tij. Siç ka deklaruar zoti Hidalgo, problemet e Kubës duhen kërkuar kryesisht te politikat socialiste të Kastros dhe jo tek embargoja ekonomike.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Hidalgo tha se papunësia në rritje të shpejtë kudo në vend, po çon në protesta të njerëzve. Edhe furnizimet ushqimore janë të pamjaftueshme, thotë zoti Hidalgo. Shumë kubanë detyrohen ta kalojnë ditën me një vakt ushqim të vetëm. Në fakt, thotë ai, shumë aspekte të jetës së përditshme kubane mund të çojnë çdo sekondë në një shpërthim social.

Korrupsioni, thotë zoti Hidalgo, është një problem i madh brenda qeverisë kubane dhe vjedhjet ndodhin në të gjitha nivelet. Edhe sistemi shëndetësor me të cilin mburret Kastroja, është në gjendje kaotike. Shumë barna elementare ka vite që nuk gjenden, thotë zoti Hidalgo.

Ai tregon se vendosi të largohej nga Kuba pasi nuk kishte mundësi të shprehte pikpamje që ndryshojnë nga ato të Fidel Kastros. E drejta e parë është e drejta për të patur mendim të pavarur, thotë ai. Mirëpo, gjatë më shumë se 40 vjetëve të fundit, mendimi i pavarur në Kubë është shtypur brutalisht.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i bëjnë presion regjimit komunist për ndryshime rrënjësore. Pjesë e këtij presioni është edhe embargoja ekonomike që drejtohet kundër qeverisë dhe jo popullit kuban. Siç është shprehur presidenti Bush, ”historia tregon se imponimi i ndryshimeve ndaj regjimeve shtypëse kërkon durim. Por historia, nga Polonia e deri te Afrika e Juigut, provon gjithashtu se durimi, guximi dhe vendosmëria mund t’i bëjnë qeveritë shtypëse që një ditë të mbërthehen nga frika dhe pastaj të bien.”

XS
SM
MD
LG