Lidhje

Thaçi: Me arrestimet të merret ligji - 2002-08-22


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi u bëri sot thirrje qytetarëve që t’i ndalin protestat dhe të lejojnë ligjin të zgjidhë çështjen e arrestimeve të ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Thaçi tha se Partia e tij kurrë nuk ka organizuar protesta dhe as nuk ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në to, por se është e drejta e tyre që të protestojnë paqësisht.

Zoti Thaçi, që ka qenë drejtuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranoi se arrestimet e kanë politizuar jashtë mase klimën në Kosovë, para fushatës zgjedhore dhe theksoi se UÇK-ja kurrë nuk ka kryer krime.

Kreu i Partisë Demokratike tha se situata e krijuar nga arrestimet është kthim prapa në procesin politik dhe çon në tensionim të panevojshëm të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar.

Ai shtoi se shpreson që kjo situatë të kapërcehet shpejt.

Para dy ditësh edhe Kryeministri i Kosovës tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se kishte kërkuar ndaljen e protestave dhe përshpejtimin e procedurave për çështjen e arrestimeve.

Zyrtarët shqiptarë i kanë quajtur të motivuara politikisht arrestimet e ish-anëtarëve të UÇK-së dhe pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse. UNMIK-u i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe thekson se arrestimet janë bërë në bazë të provave.

XS
SM
MD
LG