Lidhje

Në Serbi gjendet uranium për prodhimin e armëve - 2002-08-23


Si rezultat i një operacioni të kombinuar të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Serbisë, në një impiant bërthamor në Serbi, u gjet uranium nga i cili mund të prodhohen armë. Një ekspert thotë se reaktori i Vincës, në rrethinat e Beogradit, është vetëm maja e ajsbergut. Ka dhjetëra reaktorë të ngjashëm, thekson ai, ku shufrat e uraniumit mund të kthehen në lëndë të parë për armë bërthamore.

Pajisje të tilla mund të bëhen objektiva të synimeve të terroristëve për të shtënë në dorë materiale bërthamore. Jon Wolfstal, zëvendës-drejtor i Projektit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore pranë Fondacionit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, me seli në Uashington, thotë:

"Si Shtetet e Bashkuara edhe Rusia kanë furnizuar me reaktorë për kërkime shkencore vende të tilla si Irani, Iraku, Libia dhe Koreja e Veriut. Pra në këto vende, ku masat e sigurimit nuk janë në nivelin e duhur, ekziston edhe mundësia që karburanti të mos ruhet sa duhet".

Zoti Wolfstal, i cili më parë ka punuar në sektorin e mospërhapjes së armëve bërthamore, në Departamentin amerikan të Energjisë, thotë se qendra të tilla kërkimore ka në më se 40 vende të botës.

"Duke pasur parasysh terroristët ne na shqetësojnë të gjitha këto qendra. Rreziku se një grup terrorist mund të dëpërtojë aty dhe të vjedhë materialin e ta përdorë për bomba, ose ta hedhë në erë gjithë reaktorin, përbën një shqetësim të madh. Ka një numër më të vogël reaktorësh dhe vendesh që përdorin materiale me të cilat mund të prodhohen armë. Dhe për vende si Irani shqetësimi është i qartë. Por ne shqetësohemi edhe për reaktorë në një vend si Greqia, që ka një problem të hapur terrorist dhe ka materiale me të cilët mund të prodhohen armë. Apo për vende të tjera evropiane, si për shëmbull Gjermania, që është duke ndërtuar një reaktor krejt të ri, i cili do të punojë me uranium, me të cilin mund të prodhohen armë. Është zbuluar se në Gjermani veprojnë celula terroriste".

Zoti Wolfstal thotë se centralet bërthamore përbëjnë një rrezik më të vogël. Ato mbikëqyren dhe u përmbahen rregulloreve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, me seli në Vienë. Megjithatë zoti Wolfstal vë në dukje se reaktorët që prodhojnë plutonium, nga i cili mund të bëhen armë, krijojnë shqetësime. Një shqetësim të veçantë, thekson ai, përbën një reaktor i tillë, në Detin Kaspik, në Kazakistan.

XS
SM
MD
LG