Lidhje

Kalendari Historik 23 gusht - 2002-08-23


Më 23 gusht 1775, Mbreti Xhorxh i Tretë i Anglisë deklaroi se kolonitë britanike në Amerikë ishin në rebelim të hapur. Armiqësitë ndërmjet kolonëve amerikanë dhe mëmëdheut kishin marrë tipare të dhunshme për shkak të, siç shpreheshin amerikanët, “taksave të papranueshme” të vendosura nga Parlamenti Britanik. Kolonët thonin se taksat e vendosura mbi çajin, dokumentat ligjore, gazetat dhe prodhimet e eksportuara ishin të paligjshme sepse ata nuk kishin përfaqësues në Parlament kur hynë në fuqi këto masa, megjithëse ishin qytetarë britanikë. Në atë kohë, pjesa më e madhe e kolonëve nuk donte armiqësi me Britaninë. Ata shpresonin që luftimet që po zhvilloheshin nga kolonët me tendenca radikale separatiste të përfundonin shpejt, pasi qeveria britanike t’u njihte kolonëve të drejta të plota si qytetarë anglezë. Megjithatë, me vazhdimin e luftimeve, marrëdhëniet ndërmjet kolonive dhe Anglisë u ashpërsuan më tej, dhe brenda një viti filloi revolucioni nën thirjet për pavarësinë e Amerikës.

Më 23 gusht 1926, aktori i filmave pa zë Rudolf Valentino vdiq në moshën 31-vjeçare. Ai vuante nga ulçera. Qindra mijëra, ndoshta miliona gra në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën e vajtuan vdekjen e tij. Gjatë pesë viteve që ai u shqua në Hollivud, fama e Valentinos arriti maja pothuajse të pakrahasueshme në industrinë kinematografike. Aktori me origjinë italiane ishte bërë stereotipi i dashnorit të pashëm, zeshkan në filma të tillë si “Gjaku dhe Rëra” ”Shqiponja,” dhe në filmin e tij më të famshëm ”Sheiku.” Valentino punoi fillimisht si kopshtar para se të fillonte punë si balerin në nje shfaqje variete. Ai filloi karrierën e aktorit me role të vogla në vitin 1918, dhe u shqua për herë të parë në rolin e tij si personazhi kryesor në filmin “Katër kalorësit e Apokalipsit” në vitin 1921. Në filmat e tij më të njohur Valentino portretizoi dashnorin e vetkënaqur, por edhe të pasionuar. Ai ndodhej në qytetin e New Yorkut për premierën e filmit “Biri i Sheikut” kur vdiq .

XS
SM
MD
LG