Lidhje

Kabul: policia sekuestron lëndë kimike dhe eksplozivë - 2002-08-25


Policia në Kabul sekuestroi lëndë kimike nga një laborator i dyshuar terrorist në një shtëpi në zonën diplomatike të qytetit.

Gjatë bastisjes së djeshme policët gjetën 16 kimikate të ndryshme së bashku me një sasi lëndësh shpërthyese dhe dokumentash. Për përcaktimin e kimikateve, policia po zhvillon analiza.

Shtëpia në lagjen Uazir Akbar Kan në Kabul është përdorur më parë nga shoqata bamirëse saudite, Uafa. Kjo shoqatë ka qenë e përfshirë në programet e ndërtimit dhe të shpërndarjes së ndihmave në Afganistan para 11 shtatorit, por autoritetet amerikane dyshojnë se ajo mund të ketë lidhje me al-Kaidën.

Uafa bën pjesë në listën e departamentit amerikan të shtetit për grupet e dyshuara për terrorizëm, pasuritë e të cilave në Shtetet e Bashkuara janë bllokuar nga presidenti Bush.

Ndërkohë, një bombë shpërtheu sot përjashta shtëpisë së pritjes së Kombeve të Bashkuara në Kabul. Shpërthimi plagosi një kalimtar afgan dhe theu xhamat e dritareve të një ndërtese aty pranë. Por shtëpia e pritjes së OKB-së, ku ndodhen të paktën 45 veta, nuk u dëmtua. Po sot, nga zhvillimet e tjera në Afganistan, gjenerali Tomi Frenks, shef i komandës qendrore amerikane, ndodhet sot në Kabul për takime me presidentin afgan, Hamid Karzai, dhe komandantin e paqeruajtësve ndërkombëtarë atje.

Gjenerali Frenks thotë se ekziston një ndjenjë qendrueshmërie në Afganistan, megjithëse mbetet ende shumë për t’u bërë në të ardhmen.

Më vonë gjenerali amerikan u tha gazetarëve se nuk ka parë prova bindëse që Osama Bin Ladeni të ketë vdekur. Ai shtoi se po qe që udhëheqësi në arrati i Al-Kaidës është gjallë, ai do të kapet, por kjo është thjeshtë çështje kohe.

XS
SM
MD
LG