Lidhje

Presidenti mund të kërkojë mendimin e Kongresit për Irakun - 2002-08-27


Gazeta New York Times shkruan në numrin e saj të sotëm se presidenti Bush mund të kërkojë një farë miratimi nga Kongresi para se të vendosë për ndërmarrjen e ndonjë sulmi ushtarak kundër Irakut.

Sipas gazetës, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti Bush mund të kërkojë mbështetjen e Kongresit, por pa kërkuar një votë zyrtare lidhur me veprimet ushtarake.

Ligjvënës amerikanë me peshë po i kërkojnë me këmbëngulje administratës së Presidentit Bush që të shpjegojë arsyet sepse duhet sulmuar Iraku.

Senatori me influencë i Virginias në Komisionin e Senatit për forcat e armatosura amerikane, John Warner, bëri dje thirrje për fillimin e menjëhershëm të debatit për këtë çështje. Senatori Warner tha gjithashtu se kërkon që të raportojë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Kryetarët e komisioneve për forcat e armatosura të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se ata po shqyrtojnë mundësinë e fillimit të debatit mbi Irakun, kur Kongresi të mblidhet përsëri javën e ardhshme. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha dje se ky debat do të jetë i mirëpritur dhe pjesë e atyre që ai i quajti diskutime të frutshme lidhur me veprimet ndaj Irakut.

Ndërkohë, në planin ndërkombëtar po rritet kundërshtimi për një sulm të mundshëm amerikan kundër Irakut po shtohet.

Zyrtarët nga Turqia, Arabia Saudite dhe Kina u shprehën së fundmi kundër përdorimit të forcës për të zgjidhur situatën, duke thënë se veprimtaria diplomatike dhe ligji ndërkombëtar duhet të kenë përparësinë kryesore.

Ndërkaq, qeveria britanike tha se po shqyrton mundësinë për t’i bërë thirrje udhëheqësit irakian, Saddam Hussein që të lejojë inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara që të kthehen në Irak.

Kombet e Bashkuara po përpiqen që inspektorët e armëve të kthehen përsëri në Irak pas një periudhe rreth katër vjeçare që nga largimi i tyre që andej.

Sanksionet që iu vunë Irakut pas pushtimit të Kuvajtit në vititn 1990 nuk do të hiqen deri sa të verifikohet se armët bërthamore, biologjike dhe armët kimike të Irakut janë shkatërruar.

XS
SM
MD
LG