Lidhje

Kalendari Historik 28 gusht - 2002-08-28


Më 28 gusht të vitit 1962, policia e qytetit Albany, në shtetin Georgia, arrestoi 75 klerikë, që ishin duke u lutur së bashku në shkallët e bashkisë së qytetit. Klerikët kishin shkuar në këtë qytet të Georgias jugperëndimore për të mbështetur kërkesën e banorëve vendas, të cilët donin t’i jepej fund traditës së ngurtë të dallimit racial në Albany. Kryetari i bashkisë dhe shefi i policisë së qytetit, thanë se nuk do të hynin në bisedime me shkelësit e ligjit, apo me agjitatorët e jashtëm, siç i quanin ata me tallje demontruesit për të drejtat civile. Ndërmjet tetorit të vitit 1961 dhe gushtit të vitit 1962 policia e qytetit Albany, në Georgia, arrestoi rreth një mijë e 100 veprimtarë të të drejtave civile, që merrnin pjesë në Lëvizjen e qytetit Albany për barazi. Policia i akuzoi demonstruesit se bllokonin trafikun, organizonin marshime pa leje dhe kundërshtonin urdhërat për t’u shpërndarë.

Më 28 gusht 1963 qindra mijëra njerëz u mblodhën në Uashington, në një miting për të drejtat civile, në përfundim të një marshimi njëditësh. Marshimin e kryesonte veprimtari i të drejtave civile Martin Luther King. Gjatë ditës komitetet e pjesëmarrësve në marshim u takuan me anëtarë të kongresit dhe udhëheqës qeveritarë dhe u kërkuan atyre të flisnin kundër dallimit racial dhe të mbështetnin përpjekjet për të drejta të barabarta. Mitingu mori tonin e një fushate, kur Martin Luther King mbajti nga shkallët e përmendores së Linkolnit atë që u bë i njohur si fjalimi “Shoh një ëndërr”. “ Po shoh një ëndërr, po shoh se si të 4 fëmijët e mi një ditë do të jetojnë në një vend, ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit të tyre”, tha Martin Luther Kingu. Marshimi u dha energji udhëheqësve të të drejtave civile dhe ndihmoi për ta bindur presidentin John Kennedy të përdorë pushtetin e qeverisë federale për t’iu kundërvënë padrejtësive raciale në Shtetet e Bashkuara. Brenda disa vjetësh Kongresi do të miratonte disa nga ligjet më të rëndësishme për të drejtat civile në historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG