Lidhje

Presidenti Bush priti dje në fermën e tij në Texas princin Bandar - 2002-08-28


Presidenti Bush priti dje në fermën e tij në Texas ambasadorin e Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara, duke premtuar se do të këshillohet me Rijadin në se vendos të sulmojë Irakun.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Bush dhe prindi saudit Bandar bin Sulltan biseduan për reth një orë. Zëdhënësi shtoi se presidenti paraqiti argumentin e tij për një sulm të mundshëm ushtarak kundër irakut, duke e cilësuar Saddam Huseinin si kërcënim. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se presidenti Bush është i bindur që Arabia Saudite është e angazhuar për të luftuar terrorizmin.

Më vonë, princi Bandar, këshilltar i princit të kurorës Abdullah për politikën e jashtme, tha se qeveria e tij është dakord që Saddam Huseini përbën një rrezik, por shtoi se nuk ekziston baza ligjore ose mbështetja e komunitetit ndërkombëtar për luftë kundër Irakut.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se veç të tjerash në bisedime u diskutua mbi mënyrat për të pakësuar dhunën midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Lidhur me Irakun, zëdhënësi Fleischer tha se presidenti theksoi që nuk ka marë ndonjë vendim për ndërhyrje ushtarake kundër Saddam Huseinit, megjithëse ai përsëriti mendimin e tij se bota do të ishte më mirë pa presidentin irakian.

Arabia Saudite është kundër çdo sulmi ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër Irakut dhe thotë se nuk do të lejojë aeroplanët luftarakë amerikanë që ta përdorin mbretërinë saudite si platformë për fillimin e një sulmi të tillë.

XS
SM
MD
LG