Lidhje

Cheney: duhet të çarmatosim Irakun - 2002-08-30


Nënpresidenti Cheney thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të presin që presidenti i Irakut, Saddam Hussein, të prodhojë më shumë armë të shkatërrimit në masë, por duhen ndërmarrë veprime për të çarmatosur Irakun, para se Bagdadi të sigurojë armë bërthamore.

Ndërkohë që numri i vendeve që shprehin shqetësim mbi një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Irak vazhdon të rritet, zoti Cheney tha dje se mundësia që Saddam Husseini të ketë në dorë armë bërthamore është rreziku më i madh i mundshmëm ndaj paqes botërore.

Presidenti Bush thotë se nuk ka vendosur ende se kur do ta godasë Irakun dhe se ende mund të ketë mënyra të tjera për t’i bërë trysni Bagdadit. Presidenti francez Zhak Shirak thotë se i takon Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marrë vendimin për një veprim ushtarak dhe se kjo mund të ndodhë vetëm në rast se Bagdadi kundërshton kthimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për armët.

Por nënpresidenti Cheney tha se nuk është e mjaftueshme që Iraku të lejojë që inspektorët e armëve të OKB-së të kthehen në vend. Ai tha se duhen marrë veprime konkrete për të çarmatosur Irakun. Nënpresidenti vuri në dukje se presidenti Bush do t’i shqyrtojë të gjitha alternativat dhe do të ecë me maturi para se të marrë një vendim përfundimtar, për ta sulmuar apo jo Irakun.

Nënpresidenti u përpoq gjithashtu të sigurojë irakianët se Shtetet e Bashkuara nuk duan t’i pushtojnë, por t’i çlirojnë ata. Zoti Cheney premtoi se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për rindërtimin e Irakut, po ashtu siç janë duke u përpjekur t’i kthejnë begatinë Afganistanit. Zoti Cheney tha se irakianët do t’i shohin Shtetet e Bashkuara si një vend mik dhe aleat.

Gjermania dhe Suedia thonë se Uashingtoni duhet të konsultohet me aleatët e tij dhe të mos bëjë asgjë që dëmton Kombet e Bashkuara. Britania thotë se mund të propozojë caktimin e një afati brenda të cilit Iraku duhet të pranojë kthimin e inspektorëve të OKB-së.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Irakut, Naji Sabri, u takua me udhëheqës kinezë, për të siguruar mbështetje për një zgjidhje politike. Javën e ardhshme ai do të shkojë në Rusi, një tjetër kundërshtar i një operacioni ushtarak amerikan kundër Irakut.

XS
SM
MD
LG