Lidhje

Lirohen pengjet në Maqedoninë Perëndimore - 2002-08-31


Një grup i armatosur shqiptarësh në Maqedoninë Perëndimore i liroi të padëmtuar pesë pengjet civile, pas një ballafaqimi të tensionuar që ngjalli shqetësime për përtritjen e konfliktit në këtë vend ballkanik.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme maqedonase tha se të gjithë pengjet janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Agjencia e lajmeve Associated Press citon zëdhënësin Vojisllav Zafirovski të ketë thënë se rrëmbyesit arritën të iknin, megjithëse forcat maqedonase të sigurimit e kishin rrethuar fshatin në luginën e Tetovës, ku mbaheshin pengjet.

Grupi i shqiptarëve të armatosur i rrëmbeu civilët nga një autobus, ditën e enjte në afërsi të Gostivarit. Rrëmbyesit morën peng 7 civilë, por më pas liruan dy prej tyre.

Rrëmbyesit e armatosur kishin kërcënuar se do t’i vrisnin pengjet, nëse autoritetet nuk lironin një numër shqiptarësh të arrestuar këtë javë për vrasjen e dy policëve maqedonas.

Ky incident ngjalli frikën e shkallëzimit të ri të dhunës para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit. Zgjedhjet janë pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësinë perëndimore, që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit të kaluar midis qeverisë maqedonmase dhe luftëtarëve shqiptarë.

Lirimi i pengjeve u mirëprit nga zyrtarët e NATO-s, të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së në Maqedoni, të cilët u shprehen mirënjohje drejtuesve politikë shqiptarë dhe popullatës vendore shqiptare për kontributin e tyre gjatë lirimit të pengjeve. Zyrtarët ndërkombëtarë vlerësojnë se gjendja në Maqedoni tani është e qendrueshme dhe po i kthehet normales./az

XS
SM
MD
LG