Lidhje

Në Michigan përurohet kisha e re e Shën Palit - 2002-09-02


Kisha e re katolike shqiptaro amerikane e Shën Palit që u përurua të dielën në shtetin e Michiganit, cilësohet nga vëzhguesit si një objekt me vlera jo vetëm fetare por edhe kombëtare pasi kompleksi i ri përmbledh mjedise të shumta kulturore e me karakter edukativ shqiptar. Kisha e re shtrihet në një sipërfaqe tepër të gjërë në Rochester Hills rreth 45 kilometra në veri të Detroitit. Kisha përmbledh në mjediset e saj përveç sallës së madhe të meshave edhe mjedise te ndryshme kulturore.

Murret e saj janë zbukuruar me piktura të ndryshme me karakter fetar por shumica e tyre janë të karakterit kulturor shqiptar. Që të gjitha këto piktura jane vepra piktorit lezhian Pashk Pervathi. Kisha e re e Shën Palit është një kompleks i vërtetë. Per ndërtimin e kishës janë shpenzuar rreth 10 milione dollarë, kryesisht ndihma të komunitetit katolik shqiptar të Michiganit, por edhe nga shtete të tjera të Amerikës Dom Anton Kqira thotë se gëzimi për Kishën e re të Shën Palit është tepër i madh që kalon caqet e famullisë së tij, prandaj ai dëshiron t’a ndajë gëzimin me të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Në ceremonine e perurimit te Kishes se Shën Palit morri pjesë edhe zevendes kardinali i Detroitit i cili përgezoi komunitetin katolik shqiptaro amerikan duke e quajtur atë nje gur të çmuar në mozaikun amerikan. Si të ftuar në ceremoni kishin ardhur përfaqësues nga pothuajse të gjitha ipeshkëvitë katolike shqiptare në botë. Ipeshkevi i Kosoves, imzot Mark Sopi tha se kur sheh ketë objekt madhështor e ndjen veten dy here krenar, si fetar dhe si shqiptar. Edhe ipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi thotë se gëzimi i tij është i madh ndoshta edhe për faktin se shumë prej besimtareve këtu kanë qenë dikur anetarë të imweshkëvisë së tij. Imzot Gashi thotë se perurimi i kishës së Shën Palit në Rochester Hills është një ngjarje e shënuar për të gjithë shqiptaret pavarësisht nga besimi që i perkasin. Kjo kishë, thote ai, është në radhë të parë një simbol i suksesit të botes shqiptare në Amerikë.

XS
SM
MD
LG