Presidenti afgan Hamid Karzai njoftohet se i shpëtoi një atentati në qytetin e Kandarharit.
Dëshmitarët thonë se presidenti Karzai ndodhej me Guvernatorin e krahinës së Kandarharit Gul Agha Sherzai kur makina e tyre u qëllua. Guvernatori u plagos në qafë dhe është dërguar në spital.
Ndërkohë, dy shpërthime të fuqishme tronditën sot qendrën e kryeqytetit afgan Kabul, duke shkaktuar vdekjen ose plagosjen e të paktën 25 vetave. Shpërthimet ndodhën sot pasdreke njëri pas tjetrit në një zonë plot njerëz në afërsi të Ministrisë Afgane të Informimit dhe të një hoteli.
Mijëra njerëz u larguan të përfshirë nga paniku, ndërkohë që policia rrethoi zonën e shpërthimeve.
Një zyrtar i lartë i policisë u tha gazetarëve se shpërthimi ishte shkaktuar nga lëndë plasëse të vendosura në një taksi.
Deri tani nuk është bërë ndonjë arrestim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet./ii