Lidhje

SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën - 2002-09-09


Shefi i ri i zyrës amerikane në Prishtinë, Ambasadori Reno Harnish, shprehu përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Pas takimit me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, zoti Harnish përmendi si tregues për këtë përkrahje, kampin ushtarak Bondsteel, si edhe caktimin e 85 milionë dollarësh ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për vitet e ardhshme.

Ambasadori foli për transferim të autoritetit dhe përgjegjësive për vetëqeverisje këtë vit. Për të arritur në këtë pikë, si Presidenti Rugova, ashtu edhe ambasadori amerikan ishin të një mendjeje se para së gjithash duhet krijuar një mjedis i sigurt, duher realizuar zhvillimi ekonomik dhe pajtimi ndëretnik.

Presidenti Rugova tha pas takimit se Kosova duhet të njihet sa më parë, sepse kjo do të stabilizonte rajonin. Ai tha se Kosova ka nevojë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara që të vazhdojë me zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve. Presidenti i Kosovës tha gjithashtu se në takim kishin përkujtuar së bashku edhe 11 shtatorin dhe se ai kishte përsëritur solidaritetin e popullit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Në takimin me kryeministrin Bajram Rexhepi, ambasadori amerikan Reno Harnish foli për nevojën e konsolidimit të ekonomisë dhe punës për miratimin e ligjeve që ndihmojnë në përshpejtimin e privatizimit.

Po sot zoti Harnish takoi edhe kryetarin e parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci.//kk

XS
SM
MD
LG