Lidhje

Shqipëri-Kosovë: hiqet taksa e kufirit - 2002-09-09


Bashkëpunimi dypalësh dhe forcimi i marrëdhënieve në fusha të ndryshme, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar ishin temat kryesore të bisedimeve që zhvilloi sot pasdite në Tiranë kryeadministratori i Kosovës Michael Steiner me kryeministrin Fatos Nano dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta.

Sipas zëdhënësit të qevrisë, kryeministri Nano dhe kryeadministratori Steiner kanë theksuar se ka ardhur koha që Kosova, me forcimin e vazhdueshëm të institucioneve vetqeverisëse të fillojë të afirmohet si subjekt në marrëdhënie me vendet fqinje si dhe me organizata ndërkombëtare për të dalë nga statusi i saj lokal dhe për t’u shndërruar në një faktor integrues në rajon.

Në këtë takim i është vënë një theks i vecantë luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe kontrabandës. Këtë aspekt zoti Steiner e veçoi edhe pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Ilir Meta.

Në prani të dy autoriteteve u nënshkrua një marrëveshje në fushën e rendit.

“Ne po mbajmë një qëndrim të rreptë ndaj krimit të organizuar dhe çdo forme të terrorizmit, prandaj dhe kjo marrëveshje – deklaroi zoti Steiner - na lejon të punojmë bashkarisht kundër krimit të organizuar, për shkëmbimin e informacionit dhe kontrollin në kufi sepse krimi ka karakter ndërkombëtar”.

Mjaft e rëndësishme dhe me një interes për banorët e Shqipërisë dhe Kosovës, ishte dhe marrëveshja e nënshkruar për heqjen e taksës së kalimit të kufirit Shqipëri-Kosovë.

Deri tani kushdo që lëviste nga njëra anë e kufirit në tjetrën, duhej të pagante një taksë prej mbi 40 eurosh. Në vizitën që pati dy muaj më parë në Tiranë zoti Steiner, qeveria shqiptare kërkoi shmangien e kësaj takse.

Përfundimin e kësaj marrëveshje të realizuar nëpërmjet shoqërisë së sigurimeve INSIG, kryeadministratori Steiner e konsideroi si mjaft të rëndësishme për lëvizjen e lirë të njerëzve.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë ardhur duke u forcuar gjithnjë e më tepër. Ministri i jashtëm Ilir Meta ripërsërit edhe një herë se qeveria shqiptare i ka dhënë një mbështetje të plotë zhvillimeve pozitive në Kosovë: “Eshtë hera e dytë që zoti Steiner brenda dy muajsh vjen në Tiranë dhe i kemi shprehur mbështetjen me të plotë për stabilitetin në Kosovë, për forcimin e rendit dhe rivendosjen e drejtësisë, për zhvillimin e ekonomisë dhe për të forcuar më tej frymën e bashkejtetësës mes shqiptarëve dhe serbëve dhe për të mbështetur cdo aksion në këtë drejtim”, tha ai.//kk

XS
SM
MD
LG