Lidhje

Presidenti Bush kërkon mbështetjen e Kanadasë për qendrimin e tij ndaj Irakut - 2002-09-10


Presidenti Bush vazhdon të kërkojë mbështetje për qendrimin e tij të ashpër ndaj Irakut. Lidhur me këtë ai i paraqiti personalisht argumentet e tij kryeministrit të Kanadasë, Zhan Kretien dhe bisedoi në telefon me disa udhëheqës botërorë.

Kanadaja është një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara. Por as që mund të vihet në dyshim se kryeministri Zhan Kretien, është skeptik lidhur me nevojën për një operacion ushtarak kundër Irakut.

Ai tha se shkoi në takim i gatshëm për të dëgjuar dhe ndoshta për të pasur një ide paraprake lidhur me argumentet që zoti Bush do të parashtrojë të enjten para Kombeve të Bashkuara. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, u tha gazetarëve, pas bisedimeve, se presidenti nuk bëri ndonjë kërkesë të veçantë për mbështetje dhe se kryeministri kanadez nuk bëri ndonjë premtim.

Presidenti Bush dhe kryeministri Kretien u takuan në Detroit të shtetit Michigan, jo larg kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Ata biseduan për Irakun privatisht. Në publik ata u përqendruan në çështjet që lidhen me sigurimin e kufirit.

Në një paraqitje të përbashkët në publik, pranë një pike kufitare, presidenti Bush foli lidhur me nevojën për të balancuar shqetësimet për problemet e sigurimit me dëshirën për të përshpejtuar tregtinë ndërkufitare mes dy vendeve.

“Lidhjet tregtare e familjare, tha presidenti Bush, si edhe udhëtimet ndërmjet Amerikës dhe Kanadasë, tha presidenti Bush, janë më të ngushta se kurrë ndonjëherë. Dhe kjo u sjell dobi të dy vendeve. Megjithatë, shtoi ai, rreth një vit më parë, ne pamë terroristë, vrasës gjakftohtë, ta përdorin kundër nesh hapjen tonë, hapjen e shoqërive tona.”

Masat e sigurimit në kufi u forcuan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Zoti Bush tha se tani të dyja palët po marrin masa që të përshpejtohet kalimi në pikat kufitare i ngarkesave të miratuara paraprakisht dhe i udhëtarëve.

“Siç e shihni, tha presidenti Bush, ne duam që inspektorët tanë të jenë në gjendje të përqendrohen në rreziqet më të mëdha dhe jo në tregtinë e udhëtimet e ligjshme. Ne duam që ata t’ua kushtojnë kohën e punës përpjekjeve për t’i prerë rrugën terrorizmit.”

Kryeministri Kretien tha se qëllimi i terroristëve kudo është që të frikësojnë njerëzit. Por liria, theksoi ai, nuk mposhtet. Dhe ai shprehu bindjen se mbrojtësit e lirisë do të dalin fitimtarë.

“Të mërkurën, tha kryeministri Kretien, ne do të përkujtojmë përvjetorin e rëndë të një dite të tmerrshme. Por le të kremtojmë sot së bashku mprehtësinë dhe vendosmërinë, që Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë treguar për të bërë të mundur që popujt tanë të vazhdojnë jetën dhe punën e tyre të përditshme të çliruar nga ndjenja e frikës.”

Gjatë fluturimit të aeroplanit nga Uashingtoni në Detroit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se presidenti kishte biseduar në telefon me udhëheqësit e Egjiptit, Turqisë, Arabisë Saudite, si edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos dhe me kryeministrin e Danimarkës, e cila ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Gazetarët e pyetën pastaj zotin Fleischer lidhur me idenë e parashtruar nga presidenti i Francës, Zhak Shirak, gjatë një interviste me gazetën The New York Times. Zoti Shirak sugjeronte një plan me dy faza për t’u marrë me Irakun, nëpërmjet OKB-së. Një hap i tillë do të çonte në autorizimin për përdorimin e forcës ushtarake, në se Bagdati nuk do të pranonte inspektorët e armëve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se komentet e presidentit francez flasin për një lëvizje të komunitetit ndërkombëtar për ashpërsimin e rezolutave të OKB-së kundër Irakut. //ze

XS
SM
MD
LG