Lidhje

Amerika kujton ditën më të errët të historisë së saj - 2002-09-11


Më shumë se 3 mijë burra, gra dhe fëmijë, nga mëse 90 vende të botës, u vranë kur terroristët sulmuan Shtetet e Bashkuara më 11 shtator të vitit 2001. Një vit më vonë, ata që humbën jetën do të kujtohen.

Presidenti Bush e ka shpallur 11 shtatorin e këtij viti në Shtetet e Bashkuara si dita e Patriotit. Në deklaratën e tij ai tha se ”ne nuk do të harrojmë as ngjarjet e atij mëngjezi të tmerrshëm dhe as mënyrën se si u përgjigjën amerikanët në New York, në Pentagon dhe qiellin e Pensilvanisë. Ata u përgjigjën me heroizëm dhe vetmohim, me dashuri dhe kurajo, me lutje dhe shpresë.”

Shtetet e Bashkuara, tha presidenti, do ta kujtojnë gjithmonë detyrimin tonë të përbashkët për tu siguruar se drejtësia është vendosur dhe liria do të triumfojë. Shtetet e Bashkuara po luftojnë terrorizmin duke zgjedhur që e mira të triumfojë mbi të keqen. Që nga 11 shtatori, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka çliruar Afganistanin nga regjimi shtypës taleban. Terroristët e al-Qaidës, të cilët e përdornin Afganistanin si bazë stërvitjeje, ose kanë vdekur ose janë në arrati. Ata do të gjenden dhe do të sillen para drejtësisë.

11 shtatori nuk ishte fillimi i sulmeve globale terroriste, por shënoi fillimin e përgjigjes së përbashkët të botës. Siç ka thënë presidenti Bush, ”historia do ta kujtojë atë ditë jo vetëm si ditë të tragjedisë, por si ditë të vendimit, ditë që solli zemërim në botën e qytetëruar dhe veprim. Terroristët do ta kujtojnë 11 shtatorin si dita e fillimit të gjyqit të tyre.

Pasuritë financiare të terroristëve po bllokohen. Grupet kryesore terroriste po ekspozohen. Planet e terroristëve janë shkatërruar nga Spanja në Singapori Filipine dhe në Jemen.

Siç ka thënë presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara i janë përkushtuar triumfit të lirisë dhe demokracisë mbi të keqen dhe tiraninë. Historitë heroike të skuadrave të shpëtimit, që dhanë gjithshka kishin për të shpëtuar të tjerët, rrisin vendosmërinë tonë. Forcat tona të armatosura, tha presidenti, po zhvillojnë luftën lundër terrorizmit në Afganistan dhe gjetkë. Së bashku me partnerët tanë të koalicionit ata kanë arritur suksese. //ze

XS
SM
MD
LG