Lidhje

Presidenti do të paraqesë fakte bindëse në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme - 2002-09-12


Presidenti Bush do të mbajë sot një fjalim të rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të paraqesë arësyet se përse sipas tij kundër udhëheqësit irakian Saddam Hussein duhen ndërmarrë veprime të forta.

Pritet që ai t’u bëjë thirrje udhëheqësve botërorë të këmbëngulin që Iraku të lejojë kthimin e inspektorëve për të kërkuar për armë të ndaluara të shkatërrimit në masë.

Zyrtarët amerikanë thonë se Presidenti Bush do të paraqesë një numër rastesh që tregojnë se Iraku ka shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan do të flasë në Asamblenë e Përgjithëshme përpara presidentit Bush.

Zoti Annan pritet të deklarojë në fjalimin e tij se vetëm Kombet e Bashkuara mund të autorizojnë përdorimin e forcës kundër Irakut dhe mund të garantojë legjitimitetin e një veprimi të tillë.

Britania kërkon nga OKB një ultimatum për Irakun

Britania thotë se dëshiron që Kombet e Bashkuara të shpallin një ultimatum me të cilin të detyrohet Iraku të dorëzojë armët e shkatërrimit në masë. Sekretari i Mbrojtjes, Geoff Hoon tha se ka rëndësi të paraqiten arësye të qarta se përse duhet bërë çarmatimi i Irakut.

Gjatë kësaj jave, zoti Hoon ka vazhduar takimet me zyrtarë të lartë në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se lufta me Irakun nuk është e pashmangëshme. Por ai shton se Britania dëshiron që Kombet e Bashkuara të dalin me një rezolutë ku Irakut t’i vihet një afat për t’u çarmatosur.

//rd//

XS
SM
MD
LG