Lidhje

Pakistan: policia kap një të dyshuar si anëtar të al-Qaidas - 2002-09-14


Zyrtarë amerikanë dhe pakistanezë thonë se policia në Karaçi ka kapur një anëtar të lartë të al-Qaida-s, që kërkohej për rolin e tij në organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Ramzi Binalshibh po merret sot në pyetje, pasi policia e arrestoi atë dhe të paktën 11 të tjerë gjatë dy aksioneve të veçanta në Karaçi këtë javë. Ministria e Brendshme e Pakistanit tha në një deklaratë se një anëtar tjetër i lartë i dyshuar i al-Qaida-s ishte mes të ndaluarve, por identiteti i tij nuk u bë i ditur.

Policia i kapi dy nga burrat të hënën vonë pasi zbuloi vendndodhjen e të dyshuarve duke përgjuar një telefonatë me celular. 10 burrat e tjerë, ndër ta edhe Ramzi Binalshibh, u arrestuan në një bastisje apartamenti të mërkurën me ndihmën e FBI-së dhe CIA-s.

Ramzi Binalshibh, shtetas nga Jemeni, dyshohet se kishte ndihmuar në organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ai kishte banuar në Hamburg të Gjermanisë me Mohammed Attën, i dyshuari si organizatori kryesor i operacionit. FBI-ja beson se Ramzi Binlashibh do të ishte rrëmbyesi i 20-të nëse autoritetet amerikane do t’i kishin dhënë vizë, të cilën ia kishin kundërshtuar të paktën katër herë.

Gjermania ka nxjerrë një urdhër-arresti për të dhe Ministri i Brendshëm Gjerman, Otto Schily tha sot se do të kërkojë që Ramzi Binalshibh të ekstradohet. Por edhe Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë që ai të ekstradohet këtu.//kk

XS
SM
MD
LG