Lidhje

Maqedonia: shënimet e një gazetari - 2002-09-18


Maqedonia me popullsi prej vetëm 2 milion banorësh, zhvilloi të dielën zgjedhjet parlamentare, të cilat janë përshëndetur si një sukses i mahnitshëm, duke patur parasysh faktin se vendi ishte në prag të luftës paksa më shumë se një vit më parë. Por ndërkohë që Maqedonia mund të duket e qëndrueshme dhe plot shpresa, ajo ndeshet ende me sfida të shumta.

Diçka e re në Shkup është një kryq 63 metra i lartë në kodrat mbi qytet. Natën kryqi ortodoks ndriçon shumë dhe nuk mund t’i shpëtojë syrit nga kënde të ndryshme të qytetit. I ndërtuar me paratë e taksapagusve për shumë maqedonë sllavë, kryqi është një burim krenarie, provë konkrete se kristianizmi ortodoks, i shkurajuar nën komunizëm, po lulëzon përsëri.

Kur Maqedonia u shkëput nga Jugosllavia, që po shpërbëhej në vitin 1991, udhëheqësit e vendit të ri nuk dyshonin aspak se do të kishin një vend sllav dhe të krishterë ortodoks. Pakica shqiptare do të kishte privilegje të njëjta me qytetarët e tjerë, por brenda një shteti maqedon, në të cilin maqedonishtja do të ishte e vetmja gjuhë zyrtare.

Ky vend i vogël ka një histori fatkeqësish. Më 1963, Shkupi gati sa nuk u shkatërrua plotësisht nga një tërmet. Në vitet e para të pavarësisë, Maqedonia gati sa nuk u shkatërrua nga një bllokadë ekonomike e Greqisë.

Athina donte që ish-republika jugosllave të braktiste emrin Maqedoni, të cilin ajo e shikon si një emër grek. Maqedoni është emri i pjesës veriore të Greqisë, vendlindja e Aleksandrit të Madh.

Në vitin 1999, në Maqedoninë veriore vërshuan dhjetra mijëra shqiptarë nga Kosova, refugjatë të këputur, që u detyruan nga diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, të largohen nga vendi i tyre. Maqedonia ofroi me ngurim strehim për kosovarët, të cilët jo të gjithë u kthyen në shtëpitë e tyre.

Në vitin 2001, shqiptarët rrëmbyen armët, duke kërkuar që qeveria e Shkupit t’u jepte atyre të drejta me të vërtetë të barabarta, duke përfshirë edhe çështjen që gjuha shqipe të gëzonte të njëjtin status me gjuhën maqedone.

NATO-ja, e cila kishte paqëruajtës në këtë vend, ndërmjetësoi një armëpushim me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Kryengritësit shqiptarë ranë dakord të çarmatosen në shkëmbim të një amnistie. Maqedonët ranë dakord për ndryshime kushtetutore dhe më shumë të drejta për shqiptarët, të cilët përbëjnë deri një të tretën e popullsisë së vendit.

Një i huaj nuk mund të dallojë ndonjë ndryshim midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Por nuk kalon shumë kohë të vësh re se këto dy grupe komunikojnë pak me njeri tjetrin. Në Shkup, shqiptarët banojnë kryesisht në pjesën veriore të lumit Vardar. Shumica e sllavëve kanë shumë frikë të shkojnë në lagjet shqiptare pasi errësohet.

Në Tetovë, takova një të ri që quhej Samir. Nëna e tij është sllave, babai shqiptar. Ai nuk flet shqip, por mbiemrin e ka shqiptar. Samiri thotë se nuk ndjehet rehat në këtë qytet. Maqedonët e shikojnë atë si shqiptar. Shqiptarët e shikojnë me dyshim sepse ai nuk flet shqip. Samiri dëshiron të transferohet në Shkup.

Aktualisht maqedonët dhe shqiptarët janë plot shpresë. Qytetarët nga të dyja përkatësitë etnike ndjehen krenarë se zgjedhjet e 15 shtatorit, u shikuan si të lira e të drejta dhe se qeveria e mëparshme pranoi humbjen me dinjitet.

Por në një vend plot probleme, ripajtimi është vështirë të arrihet. Shqiptarët nuk janë të bindur se maqedonët do t’i pranojnë ata si partnerë me të vërtetë të barabartë. Maqedonët kanë prirjen të besojnë se shqiptarët janë më shumë besnikë ndaj një shteti të ardhshëm imagjinar i të gjithë shqiptarëve se sa do të jenë ndonjëherë ndaj Maqedonisë. Ky vend është i ndërlikuar.

Në rrugën poshtë stacionit të vjetër të trenit, i shkatërruar nga tërmeti i fuqishëm, ndodhet një statujë e Nënë Terezës, shqiptare e lindur në Shkup, e cila ia kushtoi gjithë jetën ndihmës për të varfërit. Natyrisht që Nënë Tereza nuk ishte as ortodokse dhe as myslimane, por katolike. //kk

XS
SM
MD
LG