Lidhje

Bush kërkon kompetenca të zgjeruara - 2002-09-19


Presidenti Bush i kërkoi zyrtarisht Kongresit që t’i japë atij autoritet të gjerë për të përdorur forcën kundër Irakut.

Shtëpia e Bardhë i paraqiti Kongresit një projekt-rezolutë, e cila do të autorizonte presidentit të përdorë çdo mjet që ai shikon si të përshtatshëm, përfshirë forcën, në mënyrë që të detyrojë respektimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbrojë intyeresat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të rivendosë paqen e sigurinë ndërkombëtare në rajon.

Tani, Kongresi do të fillojë debatin rreth projekt rezolutës dhe ka premtuar se do të votojë para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Po sot, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të veprojnë në qoftë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk merr masa për të zgjidhur krizën me Irakun.

Presidenti Bush tha se ky është mesazhi që sekretari i shtetit, Colin Powell, po përcjell në takimet me përfaqësues të vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me sekretarin Powell, presidenti Bush tha se Kombet e Bashkuara duhet të mbajnë qendrim të vendosur në marrëdhëniet me Sadam Huseinin, duke e cilësuar udhëheqësin irakian si kërcënim të vërtetë ndaj paqes botërore. Ai tha se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit e kuptojnë se besueshmëria e organizatës botërore është në rrezik.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, po udhëheq përpjekjet për të bindur Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të miratojë një rezolutë të re, ku kërkohet çarmatimi i Irakut.

Rusia dhe Franca, të cilat kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, kanë shprehur rezerva rreth nevojës për një rezolutë të re. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ivanov, tha se inspektorët ndërkombëtarë të armëve mund të gjejnë shumë lehtë nëse Iraku ka apo jo armë të shkatërrimit në masë. Zoti Ivanov ndodhet në Pentagon për bisedime me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.//kk

XS
SM
MD
LG