Lidhje

Kalendari Historik 19 shtator - 2002-09-19


Më 19 shtator 1881 vdiq nga plagët që kishte marrë para më shumë se dy muajsh, presidenti i Shteteve të Bashkuara, James Garfield. Atë e kishin qëlluar me armë më 2 korrik të vitit 1991, në një stacion hekurudhor të Uashingtonit. Vrasësi, Sharl Gito, ishte një njeri i sëmurë mendërisht, i cili kishte kërkuar pa sukses një takim me një zyrë federale. Në kohën e atentatit, Zoti Garfield, kishte 4 muaj që kryente detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ai kishte përfaqësuar shtetin Ohio në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga viti 1863 deri në vitin 1880. Gjatë kësaj kohe ai kishte qenë për 4 vjet kryetar i Komisionit të Kreditit Buxhetor. Në vitin 1880, James Garfield u zgjodh nga shteti Ohio në Senatin e Shteteve të Bashkuara, por ai nuk shërbeu asnjëherë në Senat, sepse po atë vit anëtarët e partisë së tij Republikane e zgjodhën si kandidat për president të Shteteve të Bashkuara.

Më 19 shtator të vitit 1844 disa topografë që punonin për qeverinë amerikane, zbuluan në shtetin Minnesota, vargmalin e madh Mesabi, të pasur në mineral hekuri. Topografët ishin duke punuar në afërsi të Liqenit të Sipërm, kur kompasi i tyre iu shmang Veriut magnetik me 87 gradë. Ata zbuluan se shkaku i kësaj anomalie magnetike në këtë rajon ishin shtresat shumë të mëdha të mineralit të hekurit. Vargmali Mesabi është një varg kodrash 175 kilometra i gjatë dhe rreth 4 kilometra i gjërë. Fjala Mesabi i përket gjuhës së indianëve amerikanë që do të thotë “Gjigandi i Fshehur”. Megjithëse minerali i hekurit gjendet thuajse kudo në Shtetet e Bashkuara, Vargmali Mesabi ngrihet si një gjigand para tyre. Aty jo vetëm kishte mineral hekuri me bollëk, por ai ishte i pasur dhe fare pranë sipërfaqes, në shtresa horizontale, që bënin të mundur nxjerrjen duke gërmuar në sipërfaqe. Aty nga viti 1900 Vargmali Mesabi ishte bërë burimi më i madh i mineralit të hekurit në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG