Lidhje

Presidenti Bush kërkon mbështetjen e Rusisë - 2002-09-20


Presidenti Bush synon ta mbajë vemendjen të përqëndruar në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila do ta detyronte udhëheqësin irakian Sadam Husein që të hiqte dorë nga armët e shkatërrimit në masë.

Presidentit do t’i duhet mbështetja e Rusisë për një votë të tillë, me që Moska ka të drejtë t’i verë veton rezolutës.

Prandaj presidenti i telefonoi sot në mëngjes presidentit rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se presidenti i kërkoi udhëheqësit rus që të mbështesë masa të ashpra kundër Irakut.

“Presidenti bisedoi rreth nevojës për t’u siguruar që Kombet e Bashkuara do të miratojnë rezoluta, që janë të ashpra, që bëjnë të mundur arritjen e objektivave për ta çarmatosur Irakun dhe për të mos e lejuar atë t’i shmanget përgjegjësisë, tha Fleischer.”

Pas takimit të tyre sot me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë, ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, tha se Rusia është e një mendimi me presidentin Bush se Sadam Huseini duhet të zbatojë të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Por ministri i jashtëm tha se hapi i parë është që të pranohet oferta e Irakut për të bashkëpunuar me inspektorët e armëve, ofertë kjo, tha ai, që u bë e mundur kryesisht nëpërmjet diplomacisë ruse.

Zoti Ivanov tha se si Rusia edhe Shtetet e Bashkuara shpresojnë se tani inspektorët do t’u japin përgjigje pyetjeve rreth armëve të shkatërrimit në masë.

Ministri i jashtëm rus nuk tha nëse Rusia ndjen nevojën e miratimit të një rezolute tjetër të Kombeve të Bashkuara lidhur me Irakun, para se të zhvillohen këto inspektime.

Presidenti Bush është shprehur se oferta e Irakut është i njëjti avaz, dhe e cilësoi atë një “hap taktik” për të shmangur marrjen e masave të forta nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Sipas Zotit Fleischer, presidenti ka besim se Kombet e Bashkuara do të marrin masa të forta kundër Irakut.

”Presidenti nuk mund ta imagjinojë që Kombet e Bashkuara të bëjnë të njëjtin gabim dy herë. Presidenti nuk mund ta imagjinojë që Kombet e Bashkuara të lejojnë përsëri një sistem inspektimesh që nuk do t’i japë mundësi botës të mësojë nëse Sadam Huseini është çarmatosur. Presidenti mendon se ky do të ishte një gabim i rëndë dhe nuk mendon se bota do ta bëjë një gjë të tillë.”

Në fjalën e tij para Kombeve të Bashkuara javën e kaluar, presidenti bëri thirje që ndaj udhëheqësve irakianë të vendosen afate të qarta për të dorëzuar armët e shkatërrimit në masë. Afate prej disa ditësh e javësh dhe jo prej muajsh e vitesh.

Në Irak nuk ka pasur inspektime të Kombeve të Bashkuara që nga viti 1998. Administrata e presidentit Bush thotë se Iraku e ka përdorur këtë periudhë katër-vjeçare për të prodhuar armë të tjera kimike dhe biologjike si dhe për të çuar më tej përpjekjet për prodhimin e bombës bërthamore.

Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk arrin ta çarmatosë Sadam Huseinin, presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara janë gati të veprojnë të vetme.

XS
SM
MD
LG