Lidhje

Presidenti Bush: Nuk ka dallim ndërmjet Sadamit dhe al-Qaidës - 2002-09-25


Presidenti Bush tha se bota duhet të veprojë kundër udhëheqësit irakian, Sadam Husein, për të parandaluar bashkimin e tij me terroristët e al-Kadës. Presidenti thotë se fushata kundër Irakut është pjesë e luftës më të gjerë kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Ai thekson se nuk ka dallim ndërmjet udhëheqësit irakian dhe terroristëve të al-Qaidës kur është fjala për të mbrojtur Amerikën kundër ndonjë sulmi.” Ekziston rreziku që al-Qaida të bëhet pjesë e çmendurisë, urrejtjes së tij dhe e aftësisë së Sadamit Huseinit për të përhapur armë të shkatërrimit në masë në mbarë botën,” tha presidenti Bush.

Presidenti amerikan po kërkon miratimin e një rezolute të Kombeve të Bashkuara që do ta detyronte udhëheqësin irakian të çarmatosej. Presidenti Bush thotë se Sadam Husein po e shton arsenalin e tij të armëve kimike dhe biologjike. Iraku thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe ka ftuar që inspektimet e Kombeve të Bashkuara ta vërtetojnë këtë.

Kjo ofertë i ka ndalur vrullin miratimit të një rezolute të Kombeve të Bashkuara për të cilën administrata e presidentit Bush thotë se mund të paraqitet të këtë javë para Këshillit të Sigurimit. Presidenti po i kërkon gjithashtu kongresit një rezolutë që autorizon përdorimin e forcës nga ana e Shteteve të Bashkuara kundër Irakut. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk vepron për çarmatosjen e Sadam Huseinit, thotë presidenti Bush, atëherë Shtetet e Bashkuara janë gati të ndërhyjnë vetëm kundër Irakut. Udhëheqësi i shumicës demokrate në senatin amerikan, Tom Daschle, akuzoi presidentin Bush se po e politizon debatin rreth luftës në Irak. Në një fjalim të sotëm, senator Daschle citoi një koment të presidentit, të bërë të hënën, se ”senati i kontrolluar nga demokratët nuk është i interesuar për sigurinë e popullit amerikan”.

Senatori tha se ky koment është fyes dhe tha se presidenti duhet të kërkojë falje, veçanërisht demokratëve që morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe në atë të Vietnamit. Ai kritikoi gjithashtu nën-presientin Dick Cheney se u kishte kërkuar votuesve të përkrahnin një kandidat republikan, siç ishte shprehur zoti Cheney, ”për të ndihmuar çështjen e luftës”.

I pyetur lidhur me kritikat e demokratëve, presidenti Bush tha se ai do të vazhdojë përpjekjet për të bindur popullin amerikan për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve kundër Irakut. //az

XS
SM
MD
LG