Lidhje

Shfrytëzimi i fëmijëve, ende një problem shqetësues - 2002-09-27


Fondi Monetar Ndërkombëtar filloi të premten takimin vjetor të nivelit të lartë per shqyrtimin e çështjeve të ndryshme financiare. Takime të tilla shoqerohen zakonisht jo vetëm me protesta të grupeve kundër globalizmit, por edhe të atyre që besojnë në globalizëm, por që mendojnë se vendet e industrializuara nuk i kanë mbajtur premtimet për të ndihmuar trajtimin e fenomenit të shfrytëzimit të punës së fëmijëve në vendet më problematike ku ata perfshijnë edhe Shqipërinë.

Gjatë një konference për shtyp dje në Washington, zyrtarët e Qendrës Ndërkombëtare mbi Punën dhe Arsimimin e fëmijëve thanë se puna e të miturve dhe analfabetizmi është një problem tepër shqetesues në vendet në zhvillim, dhe kjo kryesisht per faktin se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vendet e pasura dhuruese të ndihmave per lehtësimin e këtij problemi nuk i kanë mbajtur premtimet e veta për ndihma.

Para dy vjetësh në konferencën e Dakarit, vendet më të industrializuara dolën me një deklaratë për krijimin e një fondi për ndihma të ngutshme për 18 vendet ku dukuritë si shfrytëzimi i të miturve dhe analfabetizmi ishin të përhapura ose po përhapeshin me shpejtësi. Mes këtyre 18 vendeve bënin pjesë edhe Maqedonia, Bullgaria. Rumania e Shqiperia. Por kanë kaluar dy vjet nga Konferenca e Dakarit dhe deri tani asnjë fond nuk eshte lëvruar për të luftuar këtë dukuri, thotë Sudhanshu Joshi, drejtor ekzekutiv i Qëndrës Nderkombëtare mbi Punën dhe Arsimimin e Fëmijëve.

Në Evropën Jug-Lindore, ekziston një varfëri ndoshta jo aq e thellë sa ajo në disa vende të Afrikës e Azisë. Por çështja është se problemi po lihet pas dore dhe po thellohet, qoftë për shkak të mungesës së fondeve ose mospërfilljes nga ana e qeverive, thotë kryetari i Koalicionitkundër shfrytëzimit të fëmijëve, Kaliash Satyarthi.

Por ku vihen re shenjat e këtij thellimi? Kur fëmijet fillojnë të braktisin shkollat; kur në rrugët e qyteteve shihen fëmije duke lypur apo duke pastruar xhamat e makinave kundrejt disa qindarkave apo kur në punishte e qendra prodhimi sheh duke punuar femije 10-12 vjeçarë. Këto, thotë zoti Joshi jane simptomat e para te varfërise, simptoma që nëse lihen pa u trajtuar mund të çojnë në rrënimin e një vendi.

Sipas statistikave, Shqipëria ka rreth 50 mijë fëmijë që punojnë dhe rreth 20 mijë të tjerë që kanë braktisur shkollat. Zoti Kaliashi thotë se fondet e huaja mund të ndihmojnë për zgjidhjen e problemit por është qeveria shqiptare ajo që duhet të marrë masa për parandalimin e tij. Zëdhënësja e qendrës mbi punën dhe arsimimin e fëmijëve, Mita Patel thotë se një rol për zgjidhjen e problemit mund të luajnë edhe shoqata etnike në Shtetet e Bashkuara. Ajo thotë se qendra ndërkombëtare mbi punën dhe arsimin e fëmijëve ka vendosur lidhje dhe po bashkëpunon me Këshillin Kombetar Shqiptaro Amerikan ne Washington dhe me shoqatën e grave shqiptaro-amerikane në New York për të ushtruar ndikimin e tyre në qarqet politike si në Amerikë edhe në Shqipëri që problemi i shfrytëzimit të fëmijëve të trajtohet seriozisht.//kk//

XS
SM
MD
LG