Lidhje

Vizion i ri për  ekplorimin e hapësirës - 2002-09-30


Në shtator të vitit 1962 presidenti John Kennedy shkoi në Universitetin Rice në Houston të shtetit Teksas dhe i bëri thirrje komunitetit shkencor të vendit, për të dërguar një njeri në Hënë nga fundi i atij dhjetëvjeçari.

“Ne duam të shkojmë në Hënë, po, ne duam të shkojmë në Hënë, ne duam të shkojmë në Hënë në këtë dhjetëvjeçar dhe të bëjmë edhe gjëra të tjera, jo sepse janë të lehta, por sepse janë të vështira”.

Sot, 40 vjet më vonë, në Houston është ngritur Qendra e Hapësirës, Johnson dhe vendi e ka mbërthyer vështrimin përtej Hënës, në Mars. Politikanë, shkencëtarë dhe astronautë u mblodhën këtë muaj në Universitetin Rice, me rastin e përvjetorit të atij fjalimi historik dhe për të diskutuar mbi të ardhmen e programit të hapësirës. Takimi u organizua nga kongresmeni i Teksasit, Nick Lampson.

“ Në se na duhet një garë në hapësirë, tha kongresmeni Lampson, e kemi një. Kina ka thënë se do të dërgojë një njeri në Hënë brenda 5 vjetësh. Ata nuk duhet të shkojnë atje, pa qenë ne që t’u urojmë ”.

Ish-astronauti, kapiteni Gene Cernan, njeriu i fundit që shkeli në truallin e Hënës, tha se Amerika duhet ta zgjerojë ekipin e njerëzve që shkojnë në hapësirë.

“Unë dua që fëmijët tanë të kenë mundësi jo vetëm të takohen me një astronaut, apo të ëndërrojnë për të shkuar në hapësirë kur të jenë 30 ose 40 vjeç, por të kenë mundësi të shkojnë në hapësirë, në intervalin e kohës pasi kanë mbaruar shkollën e mesme dhe para se të fillojnë kolegjin. Në se mund të dërgojmë në hapësirë një 77-vjeçar, pse të mos dërgojmë edhe një 17-vjeçar”?

77-vjeçari për të cilin e kishte fjalën ish-astronauti është senatori i Shteteve të Bashkuara, John Glenn, i pari astronaut amerikan që doli në orbitë rreth Tokës në vitin 1962. Ai u kthye në hapësirë në bordin e një anijeje për vajtje-ardhje në hapësirë më 1998.

Sipërmarrësi i sektorit të investimeve, Dennis Tito, u bë i pari njeri që pagoi për të bërë një fluturim në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ai parashikon një të ardhme të madhe për turizmin e hapësirës. Astronauti Scott Horowitz thotë se entuziazmi për programin e hapësirës të gllabëron në ngjarje të tilla si lëshimi i anijeve të hapësirës:

“Ajo që u them njerëzve, theksoi astronauti Horowitz, është se ne kemi një mjet të mrekullueshëm, anijen për vajtje-ardhje në hapësirë. Dhe njerëzit i kanë parë pamjet e saj në televizor. Por në se nuk keni pasur rastin të shihni personalisht lëshimin e një anijeje të hapësirës, mos harroni se kjo është diçka që duhet ta bëni, sepse sikur të përfshin një ndjenjë fetare kur sheh me sytë e tu lëshimin e anijes, një ndjenjë më e fuqishme sesa e atyre që janë brenda saj”.

Pjesëmarrësit në takim thanë se Nasa duhet të fillojë të mendojë përtej vitit të ardhshëm dhe pikërisht për 40 vjetët e ardhshëm të hapësirës.//ic//

XS
SM
MD
LG