Lidhje

Shtetet e Bashkuara mirëpresin  ndërtimin e linjave hekurudhore ndërmjet dy Koreve - 2002-10-01


Më 18 shtator u zhvillua një ceremoni e veçantë me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e dy linjave hekurudhore të cilat do të përshkojnë zonën e çmilitarizuar, që ndan Korenë e Veriut nga Koreja e Jugut. Lidhjet e transportit ndërmjet dy Koreve u ndërprenë gjatë Luftës së Koresë. Ato mund të rivendosen nga fundi i vitit.

Në ditët tona Koreja e Jugut është një vend paqësor dhe demokratik me 47 milionë banorë. Ekonomia e saj e gjallë është një shëmbull që tregon se çfarë mund të arrijnë një popull i lirë dhe institucione të lira. Përparimi i Koresë së Jugut është në kontrast të theksuar me Korenë e Veriut, një nga vendet më të mbyllura e më të shtypura në botë. Për shkak të nëpërkëmbjes masive të të drejtave të njeriut dhe mbështetjes që i jep terrorizmit, presidenti Bush e ka cilësuar Korenë e Veriut, së bashku me Iranin dhe Irakun, si vendet që formojnë boshtin e së keqes.

Siç ka thënë presidenti Bush, “populli i Koresë së Jugut është i lirë dhe i begatë. Populli i Koresë së Veriut është i uritur dhe i pashpresë.” Koreja e Veriut i shet raketa balistike dhe teknologji armësh çdo vendi që paguan. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se për të ushqyer popullin e vet qeveria e Koresë së Veriut do të bënte mirë të reformonte politikën e saj. Sistemi i saj është i dështuar dhe këtë e ka ndier më shumë se kushdo tjetër populli i këtij vendi.

Shtetet e Bashkuara mirëpresin ndërtimin e linjave hekurudhore ndërmjet dy vendeve. Por siç tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, përparimi i vërtetë në Korenë e Veriut, varet nga zgjidhja e plotë e çështjeve të sigurimit në Gadishullit Korean, duke përfshirë përpjekjet e Koresë së Veriut për të zotëruar dhe siguruar armë të shkatërrimit në masë dhe raketa balistike.

Për t’i zgjidhur këto çështje Shtetet e Bashkuara janë përgatitur të takohen me Korenë e Veriut. Një ditë, tha presidenti Bush ne të gjithë shpresojmë që në Gadishullin Korean do të vendoset stabiliteti si pasojë e pajtimit të dy pjesëve të tij. Të dyja palët duan të jetojnë në liri dhe me dinjitet, pa kërcënimin e dhunës, urisë dhe luftës. Ne shpresojmë, theksoi presidenti Bush, që një ditë kjo shpresë të bëhet realitet. //ze

XS
SM
MD
LG