Lidhje

Nano: po identifikohen përgjegjësitë për incidentin në Tiranë - 2002-10-01


Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano pranoi të hënën se shkaqet për incidentin që ndodhi fundjavën e kaluar, kur u hap në mënyrë të paligjshme porta e liqenit artificial, duhen parë tek keqfunksionimi ose mosfunksionimi i sistemit të institucioneve dhe të administrimit publik në Shqipëri.

”Këtu nuk është çështja për të përcaktuar përgjegjësinë personale, penale apo civile të një apo të në grupi njerëzish, por të shihen mangësitë në legjislacion, papërgjegjshmëria e veprimeve dhe mosveprimeve për të cilat ka detyrime ligjore të plotësuara dhe të paplotësuara, si dhe në skemën ligjore të mbajtjes së përgjegjësive përballë shtetit, sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve për dëmet që shkakton shteti në mënyrë të padrejtë”, tha zoti Nano në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pas një takimi me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kryeministri tha se po vazhdohet me identifikimin e përgjegjësive ligjore, administrative, ekonomike dhe financiare.

Ai shtoi se është marrë angazhimi për të dëmshpërmblyer qytetarët, sipërmarrësit dhe institucionet shtetërore, veçanërisht ato të sistemit energjitik që janë dëmtuar nga incidenti.

Zoti Nano tha se pavarësisht nga ngjarja e Tiranës, qeveria nuk po e humbet vëmendjen nga programet e ndërhyrjeve për fatkeqësinë natyrore.

Ai shtoi se institucionet e shtetit, të administratës publike dhe ato të qeverisë për emergjencen civile janë vazhdimisht në punë, si edhe po vazhdon zbatimi i programeve të asistencës, të ndihmës humanitare, për dhënien e ndihmave për riparimin e infrastrukturave publike dhe vendore që janë dëmtuar nga përmbytjet si dhe të identifikimit dhe të kompensimit të dëmeve që u është shkaktuar qytetarëve nga kjo fatkeqësi.

Kryeministri i Shqipërisë tha se qeveria po bën të gjitha përpjekjet e duhura për të rialokuar fonde, për fonde shtesë në kapërcimin e fatkeqësisë natyrore dhe mosndërprerje të programeve të zhvillimit të cilat të gjitha sëbashku na kushtojnë 20 milionë dollarë deri tani.//kk//

XS
SM
MD
LG