Lidhje

Zhei: me politikën do të krijojmë marrëdhënie partneriteti - 2002-10-01


Drejtori i sapogjedhur i radio-televizionit publik të Shqipërisë, Artur Zhei premtoi të hënën në një intervistë për Zërin e Amerikës, se do të punojë që ky televizion të bëhet një tryezë e komunikimit mbarëkombëtar.

Zoti Zhei tha se subjekteve parlamentare do t’u krijohet hapësirë e barabartë në televizionin publik.

Ai shtoi se ka perënduar koha e shtabeve politike që pushtojnë median dhe se realiteti i ri politik në Shqipëri ka ndihmuar në këtë drejtim. Ai përmendi si shembuj marrëveshjen mes shumicës dhe opozitës dhe dialogun e arritur mes tyre dhe tha se e njëjta gjë duhet të reflektohet edhe në radio-televizionin publik.

Drejtori i ri i radiotelevizionit publik tha se në çdo shoqëri, përfshirë atë shqiptare do të ishte iluzive që të jesh i pavarur nga politika.

”Mendoj që me politikën duhen ndërtuar marrëdhënie partneriteti korrekte, rregulla loje të përcaktuara nga kushtetuta dhe nga legjislacioni”, tha zoti Zhei.

Ai tha se nëse do të kishte një vullnet të mirë për të modifikuar disa aspekte të legjislacionit që rregullojnë menaxhimin e radiotelevizionit publik, duke liberalizuar sistemin e pagave dhe duke futur frymën e konkurrencës së tregut të mediave, atëherë konkurrenca e radio-televizionit publik do të ishte shumë e denjë.//kk//

XS
SM
MD
LG