Lidhje

Identifikimi i viktimave të sulmeve ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë. - 2002-10-07


Molekulat e ADN-së ofrojnë kodet unike gjenetike që e dallojnë një person nga një tjetër. Tani specialistët po përdorin teknologjinë e fundit në analizat e ADN-së në përpjekje për të identifikuar më shumë se 2 mijë e 800 viktima nga sulmet e 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë. Firma e fundit e analizave të ADN-së që është angazhuar në projektin për identifikimin e trupave është Orchid Cellmark me qendër në Germantown të shtetit Maryland. Drejtori i firmës, Mark Stolorow, thotë se mostrat e ADN-së që u nxorën nga rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë paraqesin një sfidë të veçantë për kërkuesit.

“Këto mostra janë në procesin e dekompozimit si rrjedhojë e temperaturave të larta dhe trysnisë së ujit që u hodh mbi rrënoja për tre muaj në përpjekje për të shuar zjarrin,” thotë zoti Stolorow.

Ai shton se shoqëria Orchid Cellmark po përdor një teknologji që është përdorur prej vitesh në biologjinë molekulare, por është një metodë e re në mjeksinë ligjore. Ai thotë se teknologjia SNP ofron mundësinë për të interpretuar material ADN-je me mostra më të vogla se sa kërkohet nga analizat e tjera.

Zoti Stolorow nuk pranon të përcaktojë shkallën e suksesit të kësaj metode, por thotë se kompania është shumë entuziaste për rezultatet e analizave me disa mostra eksperimentale.

Ndërkaq, Kevin McElfresh, zëvendës-president i njërës prej kompanive të ADN-së që u angazhuan që në fillim në përpjekjet për identifikimin e viktimave të 11 shtatorit, Bode Technology Group, thotë se rezultatet e raundit të parë të analizave nuk ishin shumë të suksesshme. “Në një rast tipik, pritet të marrësh 80 - 95 për qind të mostrave nga viktimat që do të identifikohen. Në rastin e avionit të linjës Amercian Airlines që u rrëzua vjet në nëntor në New York, kishim afro 90 për qind të mostrave për analiza. Pa dyshim, gjithmonë përpiqesh të kesh 100 për qind të mostrave, por në realitet ndodh ndryshe. Në rastin e Qendrës Botërore të Tregtisë morëm rreth 50 për qind të mostrave, një raport shumë i pakënaqshëm,” thotë zoti McElfresh.

Ai thotë se shoqëria Bode Technology Group ka arritur ta rrisë përqindjen e suksesit dhe të përmirësojë teknikat për analizimin e ADN-së. Por si ai dhe zoti Stolorow thonë se disa prej trupave të viktimave ishin djegur ose dekompozuar aq shumë, saqë ishte e pamundur të identifikoheshin me ndonjë teknikë:

“Kemi marrë disa mostra që s’janë tjetër veçse karbon, pra nuk është e mundur të analizohen. Rreth 10 për qind e mostrave, mendoj unë, nuk do të jenë kurrë të vlefshme,” thotë Dr. McElfresh.

Mjeku shton se një tjetër vështirësi ka qenë përballimi i projekteve të tjera të kompanisë ndërkohë që vazhdon analizat me mostrat e marra nga Qendra Botërore e Tregtisë.

“Si mund t’i thuash një viktime përdhunimi se rasti i saj nuk është i rëndësishëm? Pra duhet të arrish të balancosh të gjithë rastet që po hetohen,” thotë Dr. McElfresh.

Megjithatë, thotë mjeku, kjo përvojë e ka mësuar kompaninë e tij si të përballojë dhe të analizojë numra të mëdha mostrash të ADN-së.

Por për familjet e viktimave, identifikimi i trupave mund të mos jetë i mjaftueshëm. Nikki Stern thotë se vetëm identifikimi i trupit të të shoqit, i cili punonte në katin e 96 të kullës që u godit e para, mund të mos jetë një ngushëllim i madh.

“Arritën të gjejnë një copë nga trupi i tij në madhësinë e një monedhe. Nuk mund të them se ndjehem e ngushëlluar nga kjo,” thotë Nikki.

Analizat e ADN-së kanë shërbyer në identifikimin e 630 nga më shumë se 1 mijë e 300 trupa të identifikuar deri tani nga zyra e Mjekut Ligjor të qytetit të New Yorkut.

//AD//

XS
SM
MD
LG