Lidhje

Maqedonia kërkon zyrtarisht zgjatjen e misionit të NATO-s në vend deri në fund të vitit - 2002-10-08


Maqedonia kërkoi zyrtarisht mbrëmë zgjatjen e misionit të NATO-s në këtë vend deri në fund të këtij viti. Presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski, i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Xhorxh Robertson, në një letër të dërguar mbrëmë, zgjatjen e misionit Dhelprat e Kuqërremta, deri më 15 dhjetor të këtij viti.

Presidenti maqedonas vlerësoi në letër se gjendja e sigurisë në Maqedoni është përmirësuar dukshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe theksoi rolin e misinit të NATO-s në stabilizimin e plotë të gjendjes në vend. Zoti Trajkovski tha se zgjedhjet demokratike të 15 shtatorit të cilat u fituan nga Lidhja Socialdemokrate e Branko Cërvenkovskit dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, e Ali Ahmetit, transferimi i pushtetit dhe negociatat për krijimin e qeverisë së re, janë shenja për zhvillimin e demokracisë në Maqedoni.

Megjithatë, presidenti maqedonas kërkon në letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që mandati i misionit të forcave të NATO-s në këtë vend, të zgjatet, pa ndryshuar rolin dhe përgjegjësitë e tij. NATO ka shprehur më parë gadishmërinë për zgjatjen e misionit të saj në Maqedoni, që u vendos këtu pas konfliktit të armatosur të vitit të kaluar. Numri i forcave të NATO-s në misionin Dhelpra e Kuqërremtë, u zvogëlua nga numri fillestar dhe tani janë afërsisht njëmijë trupa.

Autoritetet maqedonase nuk janë përfshirë në diskutimet për komandën e ardhshme të misionit të NATO-s në Maqedoni dhe nuk janë shprehur nëse do të donin të shihnin aleancën veri-atlantike si komanduese të misionit apo Bashkimin Evropian me forcat e saj të ndërhyrjes së shpejtë.

Koha e qëndrimit të forcave të misionit të tashëm është shtyrë herë pas here që nga viti i kaluar, ndërkohë që nuk dihet ende se për sa kohë do të zgjatej prania ushtarake ndërkombëtare vitin e ardhshëm, në se autoritetet maqedonase do të bënin një kërkesë të tillë.//ze//

XS
SM
MD
LG