Lidhje

Shqipëri: presidenti Moisiu kërkon të parandalohen dhe ndëshkohen shkeljet e kufirit - 2002-10-11


Presidenti Alfred Moisiu thirri të premtën mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar rreth problemeve energjitike, masat për përballimin e dimrit dhe të fatkeqësive natyrore, si rreth çështjeve të sigurisë në kufijtë e vendit. Kjo e fundit, sqaroi ai, është një nga pikat kryesore për integrimin e vendit në strukturat europiane dhe ato të Natos.

Kreu i shtetit u ndal veçanërisht në situatën në kufijtë lindorë dhe juglindorë të vendit dhe, kryesisht, ato me Maqedoninë. Ai saktësoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë rrezik sulmi të armatosur, por për nevojën e forcimit të bashkëpunimit të strukturave shtetërore në mënyrë që kufiri të ruhet dhe administrohet sipas ligjeve në fuqi.

Presidenti Moisiu tha se duhet të parandalohen dhe ndëshkohen shkeljet e paligjshme të kufirit, nëpërmjet të cilave mund të përfitojnë kontrabandistë të dyja shteteve dhe, mbi të gjitha, të sigurohet jeta e njerëzve, për t’u dhënë fund, siç saktësoi ai, ngjarjeve të dhimbshme që janë përsëritur në dhjetra raste vrasjesh apo plagosjesh të qytetarëve shqiptarë nga rojet kufitare maqedone.

Sipas presidentit Moisiu, çdo krim, sidomos kur është fjala për krim shtetëror që cënon jetën e shtetasve shqiptarë, nuk mund të justifikohet, jo vetëm, sepse bie ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe konventat ndërkombëtare, por edhe sepse rrezikon të dëmtojë paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon.

Kryetari i shtetit shqiptar shtoi se harmonia midis komuniteteve që jetojnë përgjatë kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë, është për t’u përgëzuar dhe nuk duhet lejuar të instrumentalizohet politikisht për përfitime të momentit.

Duke u ndalur në situatën energjitike në prag të dimrit që po afron, presidenti Moisiu duke mbështetur masat e marra nga qeveria kërkoi të ndërhyhet fuqimisht për të realizuar investime në korporatën energjitike, veëanërisht në sistemin e shpërndarjes, ku, sipas asaj që ka raportuar ministri i Energjitikës, janë realizuar vetëm 20 përqind e fondeve të caktuara për investime. //az//

XS
SM
MD
LG