Lidhje

Kalendari Historik 16 tetor - 2002-10-16


Më 16 tetor 1859 luftëtari kundër skllavërisë, John Brown, drejtoi një sulm kundër një depoje armësh të qeverisë federale, në Harper’s Ferry, të shtetit Virginia. Abolicionisti John Brown, mendonte se zoti e kishte zgjedhur për të udhëhequr një luftë të shenjtë për çlirimin e skllevërve zezakë në Shtetet e Bashkuara. Sulmi i John Brownit kundër depos së armëve u bë për të kapur armë dhe municion dhe për të ndezur shkëndinë e kryengritjes së skllevërve në fshatrat përreth. Browni që kishte drejtuar sulme të përgjakshme në kuadër të luftës kundër skllavërisë në territorin e Kansasit, e mbajti depon e armëve në Harper’s Ferry për dy ditë. Megjithatë nuk pati ndonjë kryengritje skllevërish dhe ndihma e pritur nga rekrutët zezakë nuk erdhi aspak. Ato që erdhën ishin trupat federale që e detyruan John Brownin dhe pasuesit e tij të tërhiqen nga depoja e pushtuar. John Browni dhe ata që kishin mbetur gjallë nga grupi i tij u kapën dhe u nxorën para një gjykate shtetërore në Virginia. Ata u gjetën fajtorë si nxitës të kryengritjes së skllevërve, u dënuan me vdekje dhe u varën. Abolicionistët e veriut e konsideronin John Brownin si një martir të kauzës së lirisë dhe kompozuan një këngë për të.

Në 16 tetor të vitit 1940, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e embargos për të gjitha ngarkesat me hekurishte dhe çelik nga Japonia. Embargoja ishte rezultat i shqetësimeve amerikane në rritje rreth shtrirjes ushtarake japoneze në Azi dhe veçanërisht njoftimeve për sjellje barbare nga ana e trupave japoneze në Kinë. Embargoja amerikane dhe masa të tjera të përbashkëta ekonomike me Anglinë dhe Holandën, duke përfshirë edhe ndalimin e dërgesave me naftë, filluan të kërcënonin industritë e luftës të Japonisë dhe shtrirjen ekonomike të këtij vendi. Kabineti në Tokio shqyrtoi 2 përgjigje kryesore ndaj embargos: ose të braktiseshin ambicjet e Japonisë për perandori ose të pushtoheshin vendet në Azi, ku kishte me bollëk lëndë të parë të domosdoshme. Japonia zgjodhi alternativën e dytë. Ambicjet e vazhdueshme të Japonisë dhe sulmi kundër bazës së marinës amerikane në Pearl Harbor në vitin 1941 bënë që Shtetet e Bashkuara të hynin në luftën e dytë botërore.//ze//

XS
SM
MD
LG