Lidhje

Klosi mohon akuzat për përndjekje të drejtuesve të opozitës - 2002-10-21


Seanca e sotme e mbledhjes së komisionit hetimor të parlamentit për veprimtarinë e shërbimit informativ ngjau më së shumti me një proces gjyqësor ku ish drejtori Fatos Klosi ishte i akuzuari. Ajo zgjati më shumë se 4 orë në një atmosferë mjaft të ndezur e cila u shoqërua me debate dhe ndërprerje të shpeshta.

Komisioni i parlamentit ka si objekt tre çështje kryesore. Vrasjen e deputetit Azem Hajdari, përndjekjen dhe survejimin e politikanëve të opozitës si dhe abuzimet financiare. Dy pikat e para zunë edhe pjesën dërrmuese të seancës së sotme. Përfaqësuesit e opozitës që në fillim deklaruan se nga dokumentacioni i shqyrtuar, Shërbimi sekret sipas tyre ka patur si synim eleminimin e opozitës dhe drejtuesve të partisë demokratike. Në sallë u lexuan informacionet që zoti Klosi i kishte dërguar kryeministrit dhe presidentit të Republikës, në të cilat kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputeti demokrat Azem Hajdari, konsideroheshin si organizatorë të grupeve të armatosura dhe ideatorë të përgatitjes së një kryengritjeje të me armë. Bëhet fjalë kryesisht për vitin 1998, gjatë së cilit gjendja në vend ishte e tendosur. Dy trazira të mëdha në Shkodër në fillim të vitit, kulmuan në Tiranë në shtator pas atentatit ndaj zotit Hajdari.

Zoti Klosi shpjegoi se sipas tij bëhej fjalë për informacione të marra nga bashkëpunëtorët dhe jo si pasojë e survejimit të drejtuesve të opozitës. Ai mohoi kategorikisht që të ketë patur përndjekje të politikanëve: “Nuk kemi hapur kurrë dosje për ministra, kurrë për deputetë. E kemi të ndaluar me ligj. Kam tentuar dy tre herë ta kërkojë një leje të tillë. Kam parë që nuk ka qenë atmosfera e përshtatshme dhe nuk kam ngulur këmbë,” tha zoti Klosi. Dokumentat e lexuar në sallë shkaktuan reagime të shumta. Zoti Klosi u shpreh se ajo që po bënte komisioni ishte një shkelje flagrante dhe se mënyra si po veprohej po çonte në shkatërrimin e Shërbimit sekret, aq më tepër së seanca u bë e hapur dhe u transmetua direkt nga njëri prej stacioneve televizive kombëtare. Në mes të seancës mbërriti edhe një shkresë e drejtuesit aktual të Shërbimit Informativ Petrit Myftari, I cili paralajmëroi se leximi i dokumentave sekret ishte i kundraligjshëm. Por letra e zotit Myftari nuk u mirëprit nga përfaqësuesit e opozitës. Kryetari i Komisionit, deputeti demokrat Spartak Ngjela deklaroi madje se për këtë veprim do të kërkonte shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të Shërbimit sekret.

Zoti Klosi megjithatë pritet të thërritet sërish në Komision, ndërkohë që ndaj tij prokuroria ka hapur hetime, pas denoncimit të kryeministrit Fatos Nano për abuzime financiare. //ad//

XS
SM
MD
LG