Lidhje

Bush: edhe një përpjekje e fundit për çarmatimin e Irakut nëpërmjet diplomacisë - 2002-10-22


Presidenti Bush tha se do të bëjë edhe një përpjekje të fundit për çarmatimin e Irakut nëpërmjet mjeteve diplomatike. Megjithatë, presidenti thotë se nuk mendon që udhëheqësi irakian Sadam Husein do të përmbushë ndonjëherë kërkesat e Kombeve të bashkuara për tu çarmatosur.

Ndërkohë që Kombet e Bashkuara shqyrtojë ide të ndryshme lidhur me një rezolutë të re mbi Irakun, presidenti Bush e bëri të qartë se kjo mund të jetë mundësia e fundit për zgjidhjen e kësaj çështjeje me rrugë diplomatike.

“Ne e kemi provuar diplomacinë. Ne do ta provojmë atë edhe një herë.”

Presidenti shprehu besimin se Iraku mund të çarmatoset në mënyrë paqësore, por shtoi ai, në se mjetet paqësore dështojnë, bota duhet të jetë gati të veprojë.

“Mendoj se, në se ne bindemi për një gjë të tillë, bota e lirë mund ta çarmatosë Sadam Huseinin në mënyrë paqësore. Por në se kjo nuk arrihet, ne kemi vendosmërinë dhe dëshirën, ashtu si edhe vendet e tjera, për ta çarmatosur Sadam Huseinin. Varet nga ai që ta marë këtë vendim. Varet edhe nga Kombet e Bashkuara. Prandaj ne do të vendosim shpejt në se Kombet e Bashkuara kanë vullnetin, duke ia lënë më tej Sadam Huseinit të marë vendimin e tij.”

Presidenti Bush i bëri këto komente në përfundim të takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, takim që u përqëndruar pjesërisht në çështjen e Irakut.

Presidenti Bush u pyet në se ndryshimi i regjimit vazhdon të jetë politika e Shteteve të Bashkuara dhe në se ka pasur ndonjë zbutje të qëndrimit amerikan.

“Politika e deklaruar e Shtetet e Bashkuara është ndryshimi i regjimit sepse për 11 vjet Sadam Huseini nuk ka përfillur Kombet e Bashkuara dhe botën e lirë.”

Por ç’do të ndodhte në se udhëheqësi irakian përmbush të gjitha kërkesat që parashtroi presidenti në fjalimin e tij muajin e kaluar para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kërkesa këto të përfshira në rezoluta të ndryshme të OKB-së në përfundim të luftës së Gjirit Persik.

“Ne nuk besojmë se ai do të ndryshojë. Megjithatë, në se Sadam Huseini përmbush të gjitha kushtet e vendosura nga Kombet e Bashkuara, kushte që unë i përshkova shumë qartë për tu kuptuar nga çdo kush, një gjë e tillë në vetvete sinjalizon ndryshimin e regjimit.”

Presidenti Bush i bëri këto komente, ndërkohë që diplomatë amerikane po qarkullojnë një projekt-rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila përmban mes të tjerash edhe një paralajmërim se mospërfillja e OKB-së do të ketë pasoja për Bagdadin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleicher u tha gazetarëve se projekt-rezoluta bën thirrje për një sistem të inspektimit të armëve shumë më të ashpër dhe shumë më të efektshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG