Lidhje

Protesta në Maqedoni të organizuara nga Bashkimi i shkollave të mesme - 2002-10-22


Bashkimi i shkollave të mesme të Maqedonisë, organizate që përfaqëson nxënës maqedonas të shkollave të mesme, ka paralajmëruar për sot protesta në të gjithë vendin, pas vrasjes në fundjavë të një 18 vjecari maqedonas dhe plagosjes së dy të tjerëve në qytetin e Tetovës, nga persona ende të paidentifikuar.

Kryetari i kësaj organizate Aleksandar Nikollovski, ka paralajmëruar se nxënësit maqedonas nuk do të shkojnë në shkolla sot nga ora 9 deri në orën 12 dhe do të protestojnë në qendër të Shkupit, para parlamentit, zyrës së Bashkimit Evropian dhe më tej. Përfaqësues të protestuesve pritet të takohen pas kësaj me kryeministrin e ri Branko Cërvenkovski dhe kryetarin e ri të parlamentit Nikolla Popovski.

Kjo organizatë proteston edhe kundër ministrit të ri të arsimit, Aziz Pollozhani, sepse ai është përfaqësues i BDI-së së kryesuar nga Ali Ahmeti. Kryeministri i ri Branko Cërvenkovski është takuar me presidentin maqedonas Boris Trajkovski, me të cilin ka biseduar lidhur me programin politik të qeverisë së re.

Presidenti mbështet, sipas zyrës së tij, zhvillimin e një shteti të sigurtë dhe një administrate që jep rezultate, përforcimin e ligjit dhe respektimin e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Presidenti është njohur zyrtarisht me përbërjen e re të qeverisë së zotit Cërvenkovski, ndërkohë që presidenti dhe kryeministri i ri kanë biseduar në lidhje me disa vendime për përbërje personeli të cilat janë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore e zotit Trajkovski.

Në këtë rast bëhet fjalë për poste të rëndësishme në disa struktura të vendit, të cilat vendosen nga presidenti, i cili në këtë vend me më pak se dy million banorë, zgjidhet me votime të përgjithshme presidenciale. Qeveria e re pritet të miratohet në parlament më 31 tetor. Platforma e saj bazohet në zbatimin e marrëveshjes së paqes, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ringjalljen ekonomike të vendit. //ze//

XS
SM
MD
LG