Lidhje

Polemika të ashpra mbi akuzat penale ndaj nxënësit maqedonas - 2002-10-25


Ministri maqedonas i arsimit Nenad Novkovski, kundërshtoi ashpër të premten kërkesën e presidentit Boris Trajkovski, të kryetarit të bashkisë së Shkupit, Risto Penov dhe të një deputeti të pavarur për të ngritur akuza penale kundër organizatorit të protestës së dhunshme të organizuar nga shoqata e nxënësve maqedonas të shkollave të mesme, Aleksandër Nikollovski.

Ministri në ikje e sipër, tha se prokurori i përgjithshëm i Maqedonisë Stavre Gjikov, duhet të ngrejë akuza penale kundër presidentit Trajkovsi, kryetarit të bashkisë Penov dhe deputetit të pavarur Trifun Kostovski, për keqtrajtim psikologjik të zotit Nikollovski.

Ministri e quajti akt monstruoz kërkesën e presidentit i cili dënoi protestat e dhunshme të nxënësve maqedonas, një pjesë e të cilëve rrahën civilë shqiptarë në rrugët e Shkupit ndërkohë që protestonin kundër vrasjes së 18 vjecari maqedonas gjatë fundjavës së kaluar në Tetovë.

Dy vrasje të rinjsh, një shqiptar dhe një maqedonas dhe qeveria e re e Maqedonisë ku vendin e ministrit të ri të arsimit do ta zërë një shqiptar që vjen nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, e kryesuar nga Ali Ahmeti, shërbyen për të dhënë edhe njëherë shenja të destabilizimit të Maqedonisë.

Protestat e nxënësve maqedonas në Shkup u shoqëruan me rrahje civilësh shqiptarë në rrugë dhe thyerje xhamash, ndërkohë që sipas drejtorit të gjimnazit të Tetovës, në të ka mbërritur edhe një letër kërcënuese ndaj nxënësve dhe mësuesve shqiptarë.

Problemi i arsimit në Maqedoni, për shqiptarët, ka qenë dhe vazhdon të mbetet cështje kyçe. Universiteti i Tetovës, i cili ende nuk njihet nga autoritetet maqedonase, është një shembull për këtë.

Partitë politike shqiptare theksojnë se nxënësit maqedonas dhe protestat e tyre po përdoren për qëllime politike. Nxënësit maqedonas që rrahën civilët shqiptarë në rrugët e Shkupit, janë quajtur huliganë nga të dyja palët, qoftë nga shqiptarët, qoftë nga maqedonasit.

Por zgjidhja e problemit është ende larg, një numër cështjesh presin në tryezën e ministrit të ri të arsimit Aziz Pollozhani dhe të kryeministrit të ri Branko Cërvenkovski, si njohja e universitetit të Tetovës, shtimi i paraleleve në gjuhën shqipe në shkollat e mesme, reformimi i sistemit arsimor.

Ende është herët të thuhet nëse do të arrihet një zgjidhje e kënaqshme e këtyre problemeve, por sido që të jetë, qeveria e re do të hasë në reagime dhe pengesa të atyre grupeve që e quajnë këtë reformim të arsimit në Maqedoni, “shqiptarizim” të tij. //kk//

XS
SM
MD
LG