Lidhje

Propozim i ri i Hong Kongut për një ligj kundër rebelimit - 2002-10-25


Në vitin 1997 Hong Kongu ju kthye përsëri Kinës, pas një shekulli e gjysëm sundimi britanik. Në atë kohë, Pekini ra dakord për respektimin e formulës ”një komb, dy sisteme”, për ruajtjen e një autonomie në shkallë të gjerë për Hong Kongun, me përjashtim të fushave të tilla, si politika e jashtme dhe mbrojtja. Një kushtetutë e veçantë për ishullin, e njohur si Ligji Bazë, garanton sigurimin e të drejtave dhe lirive të popullit të Hong Kongut për të paktën 50 vjet.

Pesë vjet pas kalimit nga sundimi britanik në atë kinez, Hong Kongu vazhdon të mbetet një nga qytetet me më tepër liri në Azi. Por zhvillimet e fundit kanë shkaktuar një sërë shqetësimesh.

Sipas një prej dispozitave të Ligjit Bazë, Hong Kongu duhet të miratojë ligje që ndalojnë veprimtarinë armiqësore, tradhëtinë dhe kryengritjen kundër Kinës. Qeveria e vonoi zbatimin e kësaj dispozite për pesë vjet, por autoritetet e Hong Kongut kanë publikuar tani një projektligj kundër veprimtarisë armiqësore.

Megjithëse shumica e vendeve kanë ligje për veprimtarinë armiqësore, tradhëtinë dhe rebelimin, formulimi i projektligjit të Hong Kongut nuk është i qartë për disa çështje, gjë që ka shkaktuar shqetësimin se nën pretekstin e sigurisë kombëtare, ligji që ndalon veprimtarinë armiqësore mund të përdoret për frenimin e opozitës. Ata që e kritikojnë projektligjin thonë se ai nënkupton që organizatat që janë të ndaluara në Kinë, si Falung Gong, apo Kisha Katolile, mund të ndalohen edhe në Hong Kong.

Ligji Bazë i Hong Kongut parashikon mbrojtjen e lirive civile në vend. Në fakt, ai bën të detyrueshëm një proces gradual që do të siguronte më tepër liri politike për Hong Kongun. Shtetet e Bashkuarado ta shihnin me shqetësim zbatimin e projektligjit mbi sigurinë, i cili do të lejonte pakësimin e lirive në Hong Kong. Një zhvillim i tillë gjithashtu do të shkaktonte pakësimin e potencialit të Hong Kongut. Siç është shprehur Konsulli i Përgjithshëm amerikan James Keith, ”Sa më tepër të demokratizohet shoqëria e Hong Kongut, aq më e aftë, e hapur, dhe krijuese do të jetë qeveria e tij për arritje të mëtejshme.” // lk //

XS
SM
MD
LG