Lidhje

115 pengje në Moskë humbën jetën nga helmimi - 2002-10-27


Sot Rusia po mban një ditë zi për pengjet që humbën jetën, kur disa rebelë çeçenë pushtuan një teatër të Moskës. Presidenti Vladimir Putin ka dhënë urdhër që flamurët të ngrihen në gjysmë shtize. Shumica e programeve artistike të stacioneve radiofonike dhe televizive janë anulluar dhe shkollat e Moskës do të mbajnë një minutë heshtje. Presidenti Putin ka kërkuar ndjesë për vdekjen e pengjeve, por tha se qindra jetë u shpëtuan dhe Rusia nuk u përkul para terroristëve ndërkombëtarë.

Kreu i shërbimeve mjekësore të Moskës tha se gazi që u përdor të shtunën nga ushtria për t’i dhënë fund ballafaqimit me terroristët shkaktoi vdekjen e 115 pengjeve. Zyrtarë të qeverisë ruse nuk kanë thënë se ç’lloj gazi ishte ai që u përdor për të nxjerrë jashtë luftimit çeçenët e armatosur para se ushtarët të sulmonin teatrin. Por doktor Andrei Selcovski tha dje se gazi ishte si ai që përdoret për anestezi në kirurgji, por që u bë vdekjeprurës për shkak se pengjet ishin të dobësuar.

Ata kaluan dy ditë me pak ushqim e ujë dhe në një ankth të jashtëzakonshëm. Shumica e pengjeve ishin në gjendje të rëndë shëndetësore. Më se 600 pengje që i shpëtuan kësaj tragjedie janë shtruar në spitalet e Moskës. Një numër prej tyre janë në reanimacion. Dy pengje, një burrë e një grua u vranë me armë nga rebelët para se ushtarët të sulmonin teatrin. Forcat ruse e sulmuan teatrin në mëngjesin e së shtunës, ndërkohë që afati i rebelëve çeçenë për vrasjen e pengjeve po afrohej. Të 50 rebelët u vranë.//ic//

XS
SM
MD
LG