Lidhje

Në Serbi, ligji i zgjedhjeve duhet të ndryshojë - 2002-10-28


Zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi u shpallën të pavlefshme si rezultat i pjesëmarrjes së ulët në votime. Presidenti jugosllav Vojisllav Koshtunica mori rreth 67 për qind të votave, më shumë se 2-fishin e votave që mori rivali i tij, zëvendës-kryeministri jugosllav, Miroljub Labus. Të dy këta konkurentë konsiderohen si reformistë. Zoti Koshtunica preferon reforma më të ngadalta, ndërsa zoti Labus mbështet reforma të shpejta të tregut të lirë. Por meqë më pak se 50 për qind e votuesve morën pjesë në zgjedhje, duhet të zhvillohen zgjedhje të tjera në fillim të dhjetorit.

Kërkesa për pjesëmarrjen e të paktën 50 për qind të votuesve në zgjedhje u fut në fuqi nën regjimin autoritar të Sllobodan Millosheviçit. Kjo kërkesë përbën një pengesë ndaj demokracisë dhe qëndrueshmërisë në Serbi. Nëse nuk ndryshohet ky ligj para caktimit të datës për zgjedhjet e reja presidenciale, populli i Serbisë mund të ndeshet me votime të tjera të dështuara. Kjo do të dëmtonte besimin e publikut tek procesi demokratik në Serbi. Përmes Zyrës së saj për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut, Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë ka bërë thirje për heqjen e kërkesës për pjesëmarrjen e të paktën 50 për qind të votuesve në zgjedhje para votimeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë thirrje.

Zgjatja e një gjendjeje të tillë të bllokuar mund të vërë në rrezik reformat që kanë filluar në Serbi. Ende nevojitet miratimi i një ligji të ri mbi falimentimin, transaksionet dhe tokën në zonat urbane. Reformat në sistemin gjyqësor dhe ristrukturimi i ndërmarrjeve ende nuk është përfunduar. Asnjë nga këto dokumenta nuk ka të ngjarë të futet në fuqi si ligj deri sa të zgjidhet presidenti. Ekonomia serbe u dëmtua rëndë nën regjimin e Millosheviçit. Do të ishte padrejtësi ndaj popullit serb që të vonohen reformat të cilat premtojnë të përmirësojnë gjendjen e tij ekonomike.

Ka ardhur koha që udhëheqësit e partive politike në Serbi të lënë mënjanë mospajtimet mes tyre dhe t’u përgjigjen nevojave për reforma të shpejta zgjedhore. Edhe populli serb duhet të përmbushë detyrën e tij. Kur të caktohet data për zgjedhjet e reja, është e nevojshme që njerëzit të shkojnë të votojnë në mënyrë që reformat e filluara demokratike dhe ekonomike të vazhdojnë, që ta sjellin Serbinë më pranë integrimit me Perëndimin.//lk //

XS
SM
MD
LG