Lidhje

Zgjedhjet vendore në Pakistan-hap i rëndësishëm për demokracinë në atë vend - 2002-10-28


Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të punuar në partneritet me vendet e Azisë Jugore për nxitjen atje të qëndrueshmërisë, sigurisë, rritjes ekonomike dhe përhapjen e demokracisë. Një zhvillim i rëndësishëm ka qenë ndihma e Pakistanit për çrrënjosjen e Al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste që veprojnë brenda vendit.

Presidenti Pervez Musharraf ka denoncuar forcat ekstremiste në Pakistan dhe është zotuar për të mos lejuar që Pakistani të përdoret si bazë për terrorizmin. Qeveria e presidentit Pervez Musharraf ka ndaluar grupet ekstremiste në Pakistan, ka pezulluar pasuritë e tyre dhe ka arrestuar shumë nga pjesëtarët e këtyre grupeve. Muajin e kaluar, në Pakistan u arrestua Ramzi Binalshibh, një udhëheqës i rëndësishëm i AL-Kaidës.

Pavarësisht nga kjo, sulmet e vazhdueshme terroriste në Pakistan tregojnë se ekstremistët vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për atë vend. Me qëllim forcimin e gjendjes së sigurisë dhe forcimin e zbatimit të ligjit, Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani kanë krijuar një grup të përbashkët për bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe zbatimin e ligjit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë Pakistanin për modernizimin dhe fuqizimin e institucioneve të tij për zbatimin e ligjit.

Siç u shpreh Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Azinë Jugore, Christina Rocca, ”Është në interesin e Shteteve të Bahskuara dhe të gjithë vendeve fqinje me Pakistanin që të zhvillohen si një shoqëri e qëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht dhe me një popullsi të arsimuar.”

Rivendosja e demokracisë dhe e rendit civil brenda një suaze kushtetuese është e rëndësishme për qëndrueshmërinë afatgjatë në Pakistan. Zgjedhjet vendore të këtij muaji me pjesëmarrjen e shumë partive, janë një hap i rëndësishëm për vendosjen e demokracisë së plotë. ”Hapi i tjetër i rëndësishëm, tha zonja Rocca, do të jetë transferimi i pushtetit nën komptencat e Asamblesë Kombëtare dhe asambleve të provincave.” Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta vëzhgojnë këtë proces nga afër. Siç u shpreh Ndihmës sekretarja e Shtetit Rocca, ”Shtetet e Bashkuara shpresojnë që presidenti Musharraf do t’i shfrytëzojë këto zgjedhje, për të zhvilluar një dialog me udhëheqjen politike mbi rrugët për ndërtimin e insitucioneve demokratike të qëndrueshme dhe të besueshme në Pakistan”.// lk //

XS
SM
MD
LG