Lidhje

Rumsfeld pranon hapur ekzistencën e një grupi specialistesh zbulimi në Pentagon - 2002-10-28


Kur gazeta ”The New York Times” bëri të njohur për herë të parë lajmin për ekzistencën e një grupi të vogël të zbulimit në Pentagon, kjo shkaktoi debate të menjëhershme. Në pamje të parë, kritikët e konsideruan atë si një tjetër shenjë tensioni midis Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s. Më e rëndësishmja është se kjo nismë u pa nga kritikët si një fakt që zoti Rumsfeld dhe përkrahës të tjerë të idesë së një sulmi parandalues ndaj Irakut, nuk mbetën të kënaqur me ato që po dëgjonin nga CIA. Në vend të kësaj, thonë kritikët, zyrtarët që mbështesin idenë e luftës, po kërkojnë nga analistët e tyre fakte të reja për të justifikuar një luftë me Bagdadin, pavarësisht në se ekzistojnë apo jo fakte bindëse për një sulm të mundshëm.

Zoti Rumsfeld u përpoq javën e kaluar të minimizonte çdo ndjenjë tensioni midis të dy agjencive, duke thënë se dy agjencitë qeveritare kanë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi. Ai gjithashtu u përpoq të hidhte poshtë sugjerimet se grupi i vogël i zbulimit i Pentagonit kishte ndonjë synim të keq. "Çdo hipotezë se ky grup pune merret me mbledhjen e informacioneve të zbulimit do të ishte një keqkuptim i punës së tij", tha zoti Rumsfeld. Përkundrazi, sekretari Rumsfeld tha se grupi i përbërë nga rreth 4 vetë, u përfshi në sektorin e formulimit të politikave të Pentagonit, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Detyra e tij ishte të gjente më të rëndësishmet mes një numri të madh informacionesh të hollësishme të siguruara nga grupet e zbulimit, në përpjekje për të ndihmuar në analizat e hollësishme dhe ndoshta për zbulmin e të dhënave të tjera të cilat mund të ishin neglizhuar.

Zoti Rumsfeld pranoi se ka disa mosmarrëveshje lidhur me vlerësimin e informacioneve të zbulimit për Irakun dhe lidhjet e tij me grupe terroriste. "Gjithmonë do të ketë njerëz, brenda agjencisë, -tha zoti Rumsfeld,- të cilët kanë pikëpamje të ndryshme, por në lidhje me çështjen e rëndësishme të terrorizmit, dallon mendime të ndryshme brendapërbrenda agjencive të ndryshme të zbulimit dhe CIA-s".

Megjithatë, zoti Rumsfeld mohoi thëniet se ai nuk është i kënaqur me të dhënat e zbulimit që janë grumbulluar deri tani nga CIA dhe angjenci të tjera, një kundërshtim indirekt ky ndaj akuzave se është ushtruar trysni ndaj agjencive të zbulimit për t’i shtrembëruar qëllimisht studimet e tyre, në mënyrë që ato t’u përshtaten synimeve politike të administratës së presidentit Bush.

Megjithatë, kur një gazetar e pyeti direkt nëse procesi i zbulimit është i politizuar, zoti Rumsfeld u përgjegj në mënyrë diplomatike se nuk shikon asgjë të keqe me këtë nocion.

Megjithë përpjekjet e zotit Rumsfled për lehtësimin e shqetësimeve të publikut, ka njoftime se një numër i gjithnjë e më i madh ushtarakësh, analistësh të zbulimit dhe diplomatë po shprehin nga ana e tyre, privatisht, dyshime në lidhje me atë që ata e shohin si një marshim që ka nisur administrata aktuale drejt luftës. Këta kritikë thonë se pikëpamjet e kundërta në lidhje me këtë çështje nuk po lejohen të shprehen. Ata gjithashtu pretendojnë se ndaj analistëve të zbulimit po ushtrohet trysni që të bëjnë njoftime në përkrahje të argumentit të Shtëpisë së Bardhë se Sadam Husseini përbën një kërcënim të menjëhershëm, prandaj veprimi ushtarak parandalues ndaj tij është i nevojshëm.

Specialisti i zbulimit dhe autori James Bamford paralajmëroi javën e kaluar në gazetën ”USA Today” për atë që shihet si ”një manipulim serioz i së vërtetës”. Zoti Bamford tha se kjo mund të kishte pasoja drastike, më e rënda prej të cilave mund të ishte humbja e jetës së mijëra amerikanëve në një betejë të mudshme me Irakun.// lk //

XS
SM
MD
LG