Lidhje

Kalendari Historik 7 nëntor - 2002-10-29


Më 7 nëntor të vitit 1944, presidenti Franklin Roosevelt korri një fitore të pashembullt, ai siguroi mandatin e katërt në postin e presidentit, duke mundur kandidatin republikan, Thomas Dewey. Zgjedhjet presidenciale u mbajtën ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore vazhdonte furishëm. Megjithatë, presidenti Roosevelt u zgjodh këtë radhë me një rezultat shumë më të ngushtë në votën popullore se sa në zgjedhjet e mëparshme. Kandidatët e Partisë Demokratike për në Kongres përfituan nga fitorja e tij, duke ruajtur kontrollin në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë që bëri pas zgjedhjeve, presidenti Roosevelt u tha gazetarëve se mesazhi më i rëndësishëm i zgjedhjeve ishte se Shtetet e Bashkuara i treguan përsëri botës se demokracia është një forcë e gjallë jetësore.

Më 7 nëntor 1916 Jeanette Rankin nga shteti perëndimor i Montanës, u bë gruaja e parë që zgjidhej në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Ajo u zgjodh anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve 4 vjet para se Amendamenti i 19-të i Kushtetutës amerikane t’u garantonte grave të drejtën e votës. Megjithatë kushtetuta e shtetit të Montanës u kishte garantuar grave të drejtën e votës dekada më parë. Zonja Rankin njihet më së miri si e vetmja anëtare e Kongresit që votoi dy herë kundër pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore. Në vitin 1919 Jeanette Rankin vuri kandidaturën për në Senatin e Shteteve të Bashkuara, por humbi. Megjithatë ajo u rizgjodh anëtare e Dhomës së përfaqësuesve në vitin 1940. Në 8 dhjetor të vitit 1941 ajo votoi kundër propozimit për t’i shpallur luftë Japonisë. Në valën e entuziazmit patriotik të atyre ditëve një hap i tillë ishte aq i papëlqyeshëm, saqë asaj iu desh të kërkojë ndihmën e policisë së Kapitolit, për ta shoqëruar deri në zyrën e saj. Dhe me këtë ajo i humbi të gjitha mundësitë për t’u rizgjedhur. Ajo ua kushtoi pjesën tjetër të jetës së saj të gjatë, përpjekjeve për paqe. //rd//

XS
SM
MD
LG