Lidhje

Powell:  SHBA nuk do të lejojnë që të pengohen nga OKB-ja lidhur me Irakun - 2002-10-30


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që t’i kenë duart të lidhura nga Kombet e Bashkuara lidhur me Irakun. Sekretari Powell tha dje se Presidenti Bush e ka për detyrë në bazë të kushtetutës që të mbrojë popullin amerikan.

Zoti Powell i bëri këto komente, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton projekt rezolutën e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara që kërkon çarmatimin e Irakut, përndryshe ky vend do të ketë “pasoja serioze”.

Franca kërkon që Uashingtoni të këshillohet me Këshillin e Sigurimit para se të ndërmarë ndonjë sulm kundër Irakut. Zoti Powell tha se Shtetet e Bashkuara janë dakord që të zhvillohen diskutime në Këshillin e Sigurimit, në qoftë se Iraku vazhdon të shkelë rezolutat e OKB-së për të cilat ra dakord në përfundim të Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991.

Franca dhe Rusia janë kundër projekt-rezolutës së paraqitur nga Shtetet e Bashkuara që përmend “pasojat serioze në qoftë se Iraku nuk bashkëpunon me inspektorët e Kombeve të Bashkuara. Ato thonë se kjo do të çonte automatikisht në veprime ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Franca dhe Rusia , së bashku me Britaninë e Madhe, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, kanë të drejtën e vetos si anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit. Britania e Madhe mbështet rezolutën amerikane, por nuk është e qartë se si do të votojë Kina. Diplomatët nuk presin që Këshilli i Sigurimit të votojë për rezolutën deri javën e ardhëshme.//ic//

XS
SM
MD
LG