Lidhje

Topalli: Raporti i Kontrollit të Shtetit nuk pasqyron sic duhet shpenzimet e qeverisë - 2002-10-31


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Nenkryetarja e Partise Demokratike, Jozefina Topalli tha se raporti i Kontrollit të Shtetit, që mori në shqyrtim buxhetin e vitit 2001 ngjalli debat, për faktin se ky buxhet doli me një defiçit prej 6,3 miliardë lekësh. Flitet, tha zonja Topalli, për një tejkalim të të ardhurave, kur shumë subjekte raportojnë për bilance me humbje. Zonja Topalli përmendi edhe përdorimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, shumë të veçantë, sipas fjalëve të saj të mbuluar me vjedhje, abuzime, shpërdorime, etj., ku 90 për qind e fondeve për investime u konsumuan me tendera, apo për qëllime elektorale. Ajo që ngjalli debat, tha zonja Topalli, është mënyra se si kryetari i Komisionit të Shtetit nxori konkluzione për gjendjen jo te mire te buxhetit faktik, për humbje te rreth 13 miliardë lekëve, por në fakt, tha ajo, humbjet janë më të mëdha, për arsye se vetëm një pjesë e dosjeve janë kontrolluar. Humbjeve të tilla, tha zonja Topalli, kryetari i Kontrollit të Shtetit nuk i ve emrin vjedhje, por parregullsi, nuk i përshkruan ato si shkelje të rënda, por shkelje të thjeshta të ligjit.

Në lidhje me veprimtarinë e qeverisë Nano në luftë kundër korrupsionit, zonja Topalli tha se do të ishte si një iluzion të flasësh për një luftë reale, por përpjekjet fillestare në këtë drejtim, tha ajo, ekzistojnë. Zonja Topalli tha se opozita ka shprehur angazhimin e saj për konsolidimin e këtyre përpjekjeve. Por ajo shtoi, se ka një rezistencë të fuqishme kundër kësaj përpjekjeje fillestare. Në lidhje me punën e Komisionit për SHISH-in të kryesuar nga zoti Spartak Ngjela, zonja Topalli tha se ai është ngritur për hir të së vërtetës, ka bërë një punë të mundimshme, por tepër të rëndësishme nëpërmjet të dokumenteve, dëshmive dhe dëmshmitarëve të shumtë që kanë dëshmuar në komision, duke i transmetuar publikut se cila ka qenë fytyra e vërtetë e shërbimit informativ dhe se si prej këtij insitucioni që duhet të ishte në funksion të sigurisë kombëtare, po përpunohej në platformë e diabolizimit të opozitës, apo inkriminimit të saj. // lk //

XS
SM
MD
LG