Lidhje

Presidenti Bush: OKB-ja duhet ti përgjigjet kërcënimit që paraqet Iraku - 2002-11-01


Shtetet e Bashkuara janë ndër themelueset e Kombeve të Bashkuara, më tepër se gjysëmshekulli më parë. Si një prej anëtarëve themelues, tha presidenti George W. Bush, Shtetet e Bashkuara ”ritheksojnë përkushtimin e tyre ndaj kësaj organizate të domosdoshme dhe shpresën se ajo do të vazhdojë të përmbushë vizionin e themeluesve të saj.” Në këtë vizion përfshihen lidhje më të fuqishme midis vendeve anëtare nëpërmjet të përmirësimit të komunikimit dhe sigurisë, si dhe ndihmave të zhvillimit.

Nëpërmjet agjencive të saj të ndihmave, Kombet e Bashkuara ndihmojnë dhe mbrojnë miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur në të gjithë botën. Në vitin 2001, Programi i OKB-së për Ushqimin siguroi ndihma për 77 milionë njerëz në 82 vende dhe ndihmoi për evitimin e urisë së madhe që kërcënonte Afganistanin. OKB-ja gjithashtu përpiqet për përmirësimin e kushteve të jetesës në botë, nëpërmjet të imunizimit të fëmijëve, sigurimit të ujit të pijshëm dhe luftën kundër epidemive.

”Shtete e Bashkuara”, tha presidenti Bush mbeten të përkushtuara për t’i ndihmuar Kombet e Bashkuara të bëjnë përparime në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, shërbimit shëndetësor, sigurisë dhe arsimit në të gjithë botën. ”Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bashkëpunojnë me OKB-në për sigurimin e ndihmës humanitare dhe të zhvillimit për njerëzit që kanë nevojë. Shtetet e Bashkuara gjithashtu vazhdojnë të sigurojnë shërbimin bazë mjekësor nëpërmjet agjencive të OKB-së, përfshi UNICEF-in,” tha Presidenti.

Ndërkohë që bota përballet me sfida dhe mundësi të reja, qëllimi i OKB-së merr një domethënie të re. ”Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë përpjekjet e OKB-së për mbështetjen dhe fuqizimin e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit botëror, ”-tha presidenti Bush. ”Ne shpresojmë, -tha Presidenti,- se Kombet e Bashkuara do ta përmbushin rolin e tyre duke iu përgjigjur kërcënimit që paraqet aktualisht Iraku”.

”Që të jenë një organizëm ndërkombëtar i efektshëm, -tha Presidenti Bush, ”Kombet e Bashkuara duhet të përpiqen të mos mbeten në kufijtë e një organizate debatesh por të jenë të vendosura për ruajtjen e paqes ndërkombëtare.”

Kombet e Bashkuara duhet të marrin masa për çarmatosjen e Sadam Husseinit. Nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, tha Presidenti Bush, ”Shtetet e Bashkuara do të vihen në krye të një koalicioni për çarmatosjen e tij, për hir të paqes.”

//rd//

XS
SM
MD
LG