Lidhje

SHBA akuzon udhëheqësit e grupit Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë - 2002-11-19


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, bëri të njohur edhe një arritje të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës në Hemisferën Perëndimore. Shtetet e Bashkuara ngritën padi ndaj disa udhëheqësve të grupit terrorist të ashtuquajtur Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, nën akuzat për vrasje, rrëmbim dhe shkëmbim drogash të paligjshme për armë.

Carlos Bolas, njëri nga këta terroristë dhe kontrabandistë drogash, mbahet tashmë nga autoritetet amerikane. Shtetet e Bashkuara po punojnë me autoritetet kolumbiane për të siguruar arrestimin e udhëheqësit të grupit Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, Jorge Briceno Suarez, dhe të njërit nga zëvendësit e tij, Tomas Molina Caracas. Ata dhe të tjerë akuzohen për vrasjen e dy shtetasve kolumbianë gjatë procesit të rrëmbimit të dy amerikanëve. Jerel Shaffer dhe Earl Goen punonin për një kompani amerikane në Venezuela kur u rrëmbyen nga terroristët e grupit Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë. Zoti Goen më vonë u lirua, por zoti Shaffer u transferua në Kolumbi, ku u rrah dhe u kqetrajtua për nëntë muaj derisa për lirimin e tij u pagua një shpërblim prej një milion dollarësh.

Tomas Caracasi, Jorge Suarezi dhe anëtarë të tjerë të organizatës Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë kërkohen edhe për futjen kontrabandë të kokainës në Shtetet e Bashkuara si edhe për shkëmbimin e kokainës për armë dhe materiale të tjera që përdoren nga terroristët e grupit të tyre. Zonat e Kolumbisë nën kontrollin e grupit terrorist janë strehë për kontrabandistë ndërkombëtarë të drogës.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë edhe arrestimin e terroristit të grupit Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, Henry Castellanos Garzon, lidhur me pjesëmarrjen e tij në rrëmbimin e katër amerikanëve në mars të vitit 1998. Louise Augustine, Todd Mark, Thomas Fiore dhe Peter Shen u rrëmbyen nga zoti Castellanos ndërkohë që po bënin një udhëtim për studimin e zogjëve në Kolumbi. Ai i kërcënoi ata me vdekje dhe u kërkoi hollësi rreth gjendjes financiare të familjeve të tyre. Më pas, të rrëmbyerit u liruan pa shpërblim. Prokurori i Përgjithshëm, John Ashcroft, tha se Departamenti i Shtetit e ka cilësuar grupin Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë si organizatën më të rrezikshme terroriste me bazë të Hemisferën Perëndimore. Në paditë e ngritura, anëtarët e akuzuar të këtij grupi cilësohen si terroristë, kontrabandistë drogash, rrëmbyes dhe vrasës.” Ashtu si terroristët e tjerë, edhe Jorge Briceno Suarez dhe Tomas Molina Caracas, do të nxirren një ditë para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG